TemA TV/ Berisha në Tropojë: Unë besoj tek familja, Rama e përdor familjen për tregti (VIDEO)
Kryeministri Sali Berisha u rikthye në vendlindjen e tij për një miting në qytetin e Bajram Currit.
Duket se tani kryeministri Sali Berisha ka vendosur që të sulmojë kryetarin e opozitës, Edi Rama, si një njeri jofamiljar.
Vëllezër motra, më 23 qershor përballen jo vetëm dy alternativa, por edhe dy modele. Modeli juaj, modeli i Sali Berishës që bazohet në djersën e ballit, bazohet në punën me nder, bazohet në besimin tek puna, tek përkushtimi, tek ju dhe gjenia juaj krijuese, energjia juaj e madhe dhe vendosmëria juaj për të përmirësuar jetën tuaj. Modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet në vokacionin e në ëndrrën tonë europiane, që bëmë gjithçka që ne të arrijmë sa më shpejt stacionin më të shkëlqyer të të ardhmes tonë, Bashkimin Europiane. Modeli juaj dhe i Sali Berishës që beson tek familja, vlerat e shenjta të saj, që beson tek Tropoja, tek Shqipëria, beson tek kombi dhe e ardhmja e tij, tha Berisha.
Cili është modeli tjetër? Ai është modeli i Edi Ramës, njeriut i cili nuk ka lënë fjalë të ndyrë pa hedhur mbi vendin e tij, mbi Shqipërinë, por edhe mbi socialistët që sot vetë i drejton.
Cila është modeli i Edi Ramës? Modeli i Edi Ramës është dekorimi i atyre që u kënduan xhelatëve të popullit të Kosovës, masakrave mbi të, në një kohë kur ju sakrifikonit jetën tuaj për lirinë e Kosovës. Pa u tha akoma gjaku i djemve tuaj, të rënë për lirinë e Kosovës, Edi Rama do të dekoronte Goran Bregoviçin, si shpërblim për himnet që thuri ndaj masakruesve e xhelatëve të popullit të Kosovës dhe bijve tuaj.
Modeli i Edi Ramës është modeli i përçmimit gjer në urrejtje ndaj njeriut, ndaj çdo kundërshtari, njeriu që agreson me brutalitet, edhe fizikisht, cilindo që mundet, vetëm e vetëm se kundërshton mendimet e tij të zeza. Modeli i Edi Ramës është modeli për të cilin, familja është treg dhe vetëm tregti, që martohet e ndahet sa herë kërkon të fitojë më shumë vota në zgjedhjet e radhës, që i humbet gjithnjë. Modeli i Edi Ramës është modeli i njeriut që nuk nguron të shkelmojë mbi çdo interes tuajin, demokratë, socialistë, të paparti, të rinj e të moshuar, gra e burra, të shëndoshë e të sëmurë, çfarëdo që jeni, vijoi kryeministri.
Berisha tha se mandati tjetër do të sjellë më shumë investime dhe punësim.
Unë sot jam këtu, për tju drejtuar një thirrje vëllazërore të gjithë socialistëve të Tropojës e të mbarë Shqipërisë: bashkohuni me ne, bashkohuni me projektin tonë. Juve ju bashkon me ne, përpjekja për të ndërtuar një infrastrukturë moderne, dinjitoze, kudo ku jeni, juve ju bashkon me ne përpjekja jonë për krijimin e qindra mijëra vendeve të punës në Tropojë e Shqipëri, juve ju bashkoj me ne përpjekja jonë e përbashkët për rritjen e rrogave dhe pensioneve, për Tropojën turistike, Shqipërinë turistike, për Tropojën në Bashkimin Europian, Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Miqtë e mi, kjo është alternativa jonë, alternativë për çdo demokrat, çdo socialist e të paparti. Por cila është alternativa tjetër?
Alternativa tjetër është ajo e nxirjes, e zisë, e pesimizmit, e poshtërimit të gjithçkaje që ju keni ndërtuar. Në krye të fushatës, pasagjeri i autobusit mavi, Shqipërinë tonë, Shqipërinë e anëtareve të NATO-s, Shqipërinë e qytetarëve që lëvizin pa viza në Europë, Shqipërinë që meritoi statusin e kandidatit, e shpalli Shqipërinë e gënjeshtrës, NATO-n e vlerësoi si natë njëlloj si etërit e tij, Bashkimin Europian si asgjë, si as bukë, as ujë dhe të ardhmen tuaj si inekzistente, që nuk ka vlerë. Nga autobusi i tij mavi, për të, rrugët e ndërtuara me taksat tuaja nuk ekzistojnë, rrogat e pensionet e dyfishuara nuk janë të vërteta, shtëpitë e bukura që keni ndërtuar, bizneset që keni ngritur, fermat që po zhvilloni janë vetëm mashtrim e nuk ekzistojnë. Me të gjitha këto, shoku i autobusit do që të shkelmojë mbi gjithçka që ju keni realizuar./ep