E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Lirohet nga KQZ-ja anëtari i LSI-së. PD: Koalicioni PS-LSI mund të manipulojë zgjedhjet (VIDEO)

kqz(E PERDITESUAR)- Partia Demokratike ka kërkuar largimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, pas largimit të kësaj të fundit nga mazhoranca.

Kërkesa zyrtare, e firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Pazoti, i drejtohet kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të cilës i kërkohet të nisin pa vonesë procedurat e zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së Ilirjan Muho, më qëllim respektimin e baraspeshimit politik në komision.

Kërkesa vjen vetëm një ditë pas asaj të republikanëve, që kërkojnë të marrin vendin e LSI-së në KQZ.

Kërkesa në emër të grupit të PD-së është prezantuar në Komisionin e Ligjeve nga deputeti Gent Strazimiri, i cili tha se me koalicionin e ri të krijuar nga PS-LSI, rrezikohet manipulimi i zgjedhjeve. Ajo është miratuar me votat e mazhorancës.

Në bazë të kodit zgjedhor gjysma e anëtarëve të KQZ-së i takon shumicës dhe gjysma tjetër opozitës. Kërkojmë ndarjen në mënyrë të barabartë të administratës zgjedhore. Prishja e baraspeshës me ikjen e LSI-së nga koalicioni cenon standardet e zgjedhjeve. Koalicioni i fundit me këtë formulë është paralajmërim për manipulim. Partia Republikane ka paraqitur kandidaturat për anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është shprehur Strazimiri.

Pas kërkesës së PD-së ka reaguar edhe kryesocialisti Edi Rama, që e ka cilësuar si një tentativë të prekjes me dhunë të KQZ-së.

Prekja e KQZ me dhunë është antikushtetuese tregon se çregjim do të shporrim në 23 qershor e çfarë paniku e ka mbërthyer Saliun në vetminë e madhe! Asgjë se shpëton pushtetin e partisë familjare të Saliut, prekja e KQZ rrënon ende me shumë institucionin e zgjedhjeve dhe imazhin e vendit, shprehet Rama./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›