TemA TV/ Meta: Parlamenti i leshit u kthye në parlamentin e veshit. Në Vlorë do fitojmë 9 me 3 (VIDEO)
Meta premton: Aleanca për Shqipërinë Evropiane e nisi fitoren në Shkodër dhe kulmin do e ketë në Vlorë më 23 qershor. E kemi të pamundur të mundim Berishën në Vlorë 8 me 2, por ju jap fjalën se do e mundim 9 me 3
Duket se Ilir Meta e ka lënë që të nisë nga Vlora sulmin frontal ndaj qeverisë.
Deri më tani kishim dëgjuar se Ilir Meta kishte ankesa se Berisha po përqendronte shumë pushtet në dorë, por tani ai po e sulmon ashpër qeverinë se na ka lënë pas sa i përket integrimit.
Por ndërsa ka qeverisur për katër vite me Berishën, Ilir Meta duket shumë i pakënaqur edhe me gjendjen ekonomike në vend.
Jemi sot këtu për të dhënë mesazhin se Vlora dëshiron të ecë më shpejt në rrugën e integrimit. Kush premton 250 mijë vende pune, kur nuk hapi dot 50 mijë në 8 vite, i them se Vlora nuk ngopet me lugën e zbrazët, se Vlora kërkon ndryshim. Shqipëria kërkon një model të ri ekonomik, një ekonomi që eksporton e konkurron. Ndaj jemi sot këtu për të thënë se Vlora nuk mund të pajtohet me arrogancën dhe vetëkënaqësinë për ekonominë. Nuk mund të vazhdohet të qeveriset me lëvdata, kur borxhet ndaj kompanive të punëve publike po shkojnë në 300 milionë euro të papaguara, duke rritur kreditë e këqija, nuk mund të vazhdohet me eufori për ekonominë kur borxhi për mosrimbursimin e TVSH po arrin në 200 milionë euro, tha Meta.
Madje kryetari i LSI mbrojti edhe aleatin e ri, Edi Rama, duke komentuar vendimin e parlamentit për të ngritur një komision hetimor për ngjarjen e Vjenës. Meta tha se ky është shndërruar nga parlament leshi, në parlament veshi.
Ne duam një Shqipëri pa politikanë përçarës, të cilët e kthyen para një jave parlamentin në parlamentin e leshit dhe sot e kthyen ne parlamentin e veshit. Ne na duhet një parlament që merret me shqetësimet kryesore të vendit dhe reformat që e integrojnë më shpejt në BE, larg akuzave dhe denigrimeve. Ne duam një Shqipëri me klasë politike që ka pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen që di të bëjë zgjedhje të lira, pasi jemi i vetmi vend në NATO që nuk kemi zhvilluar ende zgjedhje të cilat nuk janë kontestuar, theksoi Meta.
Meta tha se opozita e ka të garantuar fitoren dhe nuk bojkoton zgjedhjet.
Dua ti them kreut të PD-së nga Vlora të mos shohë ëndrra me sy hapur që opozita do të bojkotojë zgjedhjet, pasi opozita, Vlora dhe Shqipëria duan që zgjedhjet të bëhen sot. Ne duam të nisim një politikë bashkëpunimi dhe me demokratët që sot janë në mazhorancë pasi ata janë komshinjtë tanë, pasi ata e dhanë maksimumin që mund të jepnin gjatë këtyre 8 viteve, tani është koha për ndryshim dhe përmes këtij ndryshimi do të ketë një bashkëpunim. Ne jemi të sigurt në fitoren e këtyre të zgjedhjeve. Aleanca për Shqipërinë Evropiane e nisi fitoren në Shkodër dhe kulmin do e ketë në Vlorë më 23 qershor. E kemi të pamundur të mundim Berishën në Vlorë 8 me 2, por ju jap fjalën se do e mundim 9 me 3. Ashtu sikurse ju jap fjalën se 12 kandidatët e LSI do jenë djemtë dhe vajzat e Vlorës që qëndrojnë dhe jetojnë me hallet dhe shqetësimet e këtij populli të mrekullueshëm. Rroftë Vlora historike dhe fitore për të mirën e gjithë shqiptarëve, gjithë Vlorës dhe të mirën e Sali Berishës, përfundoi Meta./ep