TemA TV/ PS: Fshatari lezhjan, më i varfri në Shqipëri. Frutat e perimet janë shtrenjtuar ndjeshëm (VIDEO)
Pas vizitës së kryeministrit Sali Berisha në Lezhë, ka reaguar Partia Socialiste, duke e quajtur një nga 100 dështimet e Berishës, dështimin me fshatin.
Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, e nisi deklaratën e tij duke komentuar atë që Berisha e quajti superstradë në fshatin Blinisht.
Beqja tha se ajo ishte një rrugë ku mezi këmbehen makinat.
Më pas Beqja tha se fshatarët në Lezhë janë më të varfrit në Shqipëri.
Sipas vjetarit statistikor të Ministrisë së Bujqësisë, të ardhurat vjetore bruto të fshatarëve të Lezhës janë vetëm 1500 dollarë në vit. 38% më pak se mesatarja e vendit. Vetëm 125 USD në muaj.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës, shkalla zyrtare e varfërisë në Lezhë është dy herë më e madhe se mesatarja e vendit. 1 në 4 familje në Lezhë jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike. Saliu nuk dha përgjigje as për këto.
Në Lezhë sipas njoftimeve zyrtare vetëm 31% e tokës bujqësore ujitet. Kjo është e dhëna zyrtare, sepse realisht është edhe më keq. E pra, në qarkun ku kalon edhe lumi Drin, edhe lumi Mat, në dimër tokat përmbyten e në verë toka thahet, tha Beqja.
Zyrtari socialist tha se prodhimi në fshat dhe këtë e tregon rritja e çmimeve dhe ulja e eksporteve bujqësore.
Saliu nuk dha përgjigje as për këto. Nuk dha përgjigje pse nuk paguan dëmshpërblimet për përmbytjet e 2011 në nën Shkodër. Nuk dha përgjigje pse nuk vlerësohen dëmet e përmbytjeve të para pak javëve. Nuk shpjegoi pse janë shtrenjtuar ndjeshëm frutat dhe perimet muajt e fundit.
Në 4 muajt e fundit frutat dhe perimet në tregun me pakicë në Shqipëri janë shtrenjtuar 10 deri në 25%. Nuk shpjegoi pse ka rënë eksporti në tremujorin e parë të 2013. Sipas INSTAT prodhimet bujqësore janë eksportuar 5% më pak. Pra kemi prodhime më të shtrenjta në tregun e brendshëm dhe më pak në eksport që tregon që prodhimi në fshat ka rënë, tha Beqja./ep