E Shtunë, 31 Tetor 2026

TemA TV/ PS: Shqipërinë dixhitale e bëjmë realitet pas 23 qershorit (VIDEO)

17-maj-HaritoNë Ditën Ndërkombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Partia Socialiste deklaroi se kryeministri Sali Berisha ka dështuar me Shqipërinë dixhitale.

Kandidatja e PS, Milena Harito, tha se Shqipëria dixhitale është realitet vetëm në imagjinatën e Berishës.

Ndërkohë që, fatkeqësisht, Shqipëria mbetet sot e fundit në rajon në treguesit më të rëndësishëm të zhvillimit dhe implementimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit.

Sot studentët dhe nxënësit tanë janë dëshmitarë të gjendjes të laboratorëve kompjuterikë në shkolla. Të gjithë jemi dëshmitarë të tenderëve për gjoja modernizimin e infrastrukturës që hapen nga një ministri e mbyllen nga një tjetër, brenda po kësaj qeverie qesharake dhe pa kurrfarë transparencë, tha Harito.

Kandidatja e PS tha se Shqipëria dixhitale do bëhet realitet pas 23 qershorit.

Ne do të shtojmë dhe promovojmë shërbimet dixhitale, e-shërbimet për qytetarët dhe biznesin, do të përmirësojmë kapacitet njerëzore në këtë fushë dhe do të krijojmë kushtet për konsolidimin e strukturës dixhitale në gjithë sipërfaqen e Republikës së Shqipërisë. Do të garantojmë kompetivitet në shërbim të shumicës dhe jo të monopoleve, duke e shndërruar këtë sektor ekonomik në një sektor që ofron punë të kualifikuar e të mirëpaguar për të rinjtë.

Teknologjia e informacionit do të jetë mjeti për të shndërruar administratën shtetërore, për ta vënë atë në shërbim të njerëzve e jo në funksion të militantëve partiakë, duke garantuar shërbime në transparencë të plotë, në një administratë ku nëpunësi civil është aty për tu shërbyer taksapaguesve e jo pushtetit të korruptuar; duke bërë të mundur që pensionistët të mos rrinë me orë e me ditë në radhë të gjata, sepse shërbimi i pensioneve në bankë nuk funksionon; duke mundësuar shërbime shëndetësore transparente e të kontrollueshme.

Shqipëria dixhitale do të jetë Shqipëria reale në shërbim të drejtpërdrejtë të ekonomisë; në fshat për të lidhur prodhimin me tregjet; në arsim për të garantuar mësimdhënie cilësore e bashkëkohore për të rinjtë; punësim dhe vetëpunësim të të rinjve të kualifikuar.

PS përsërit sot zotimin e shpallur prej muajsh:

Pajisje personale për çdo të ri, me tablet elektronike në disa faza sipas grup moshave që fillon në shtator 2014 dhe brenda mandatit të parë pajisen të paktën gjithë nxënësit e shkollave të mesme, tha Harito./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›