E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Rama hap zyrën e deputetit në Vlorë dhe premton: Pushtet për zgjedhësit, jo për të zgjedhurit (VIDEO)

rama ne vloreTë mërkurën është çelur zyra e deputetit të qarkut të Vlorës, Edi Rama, pas përzgjedhjes së personave që do të punojnë në këtë zyrë.

Nga 252 persona që kishin aplikuar për të punuar në këtë zyrë, janë përzgjedhur tre prej tyre: Arjola Sulaj, Alma Binaj dhe Bevis Shehaj.

Që të tre kandidatët fitues janë nga qyteti i Vlorës, janë shkolluar me rezultate të larta në universitete prestigjioze brenda dhe jashtë vendit, kanë eksperienca të mira pune dhe i janë përgjigjur më mirë pritshmërive të stafit përzgjedhës të caktuar nga Edi Rama.

Duke folur pas hapjes së zyrës, Rama deklaroi: Jam shumë i kënaqur që jam këtu më ju dhe që një konkurs me 252 kandidatë përfundoi me suksesin e një përzgjedhjeje të tillë, por edhe u zhvillua në respekt të plotë të të drejtës së gjithsecilit për tu provuar. Kjo është filozofia e re që ne duam të jetësojmë përditë në qeverinë e krijuar nga vullneti i një populli të tërë për të ecur më shpejt drejt një rilindjeje shqiptare dhe njëkohësisht unë dua që kjo zyrë të kthehet në një model të bashkëjetesës mes deputetit apo deputetëve dhe zgjedhësve të tyre. Është zyra e një deputeti, pavarësisht se unë jam kryeministri. Kjo zyrë nuk është një zyrë punësimi, në kuptimin që njerëzit të vijnë këtu dhe të marrin punë. Kjo zyrë nuk i mbivendoset as institucioneve të shtetit dhe as funksioneve që kanë drejtuesit apo strukturat e institucioneve të shtetit. Është zyra ku çdo qytetar i Vlorës, i qytetit dhe i rrethit mund të vijë dhe të ndajë me ne shqetësime, të bëjë sugjerime, të sjellë ide, të shprehë çfarë dëshiron të na thotë lidhur me probleme të vendit, të qytetit, të fshatit, të komunitetit dhe ne kemi detyrimin ta dëgjojmë dhe me respektin më të madh ti gjendemi pranë apo ti japim asistencën e nevojshme, për ta drejtuar aty ku duhet, ku është fjala për të zgjidhur probleme të caktuara.

Alma Binaj, një nga të përzgjedhurat për të punuar në zyrën e Ramës, tha se në institucionet shtetërore në Vlorë nuk na është dhënë mundësia për të konkurruar dhe për të fituar të drejtën për të punuar në këto institucione. Falë jush na është krijuar mundësia për të konkurruar dhe pas një përzgjedhje të kujdesshme të jemi pjesë e kësaj zyre.

Kurse Arjola Sulaj tha: Unë kam mbaruar studimet në Bolonja të Italisë, në Universitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Kam bërë dhe një Master për Administrim të Qeverisjes. Kam punuar në prefekturën e Bolonjës në zyrën e nënshtetësisë, ku merresha me praktikat e të huajve që kërkonin nënshtetësinë italiane. Njëkohësisht kam bërë disa eksperienca pune si vullnetare për një qendër të të huajve dhe klandestinëve në Itali, ku kam punuar si përkthyese.

Bevis Shehaj theksoi se ishte një privilegj i jashtëzakonshëm të vija të punoja me ju. Më ka bërë jashtëzakonisht shumë përshtypje mënyra se si u zhvillua konkursi i pranimit. Intervista, pyetjet që më bënin apo dhe më pas postintervista. Unë kam pasur eksperienca në SHBA si në Nju Orlins apo San Francisko gjatë studimit tim në Varshavë, por këtë seriozitet që ishte në ekipin përzgjedhës mua më ka lënë vërtet të habitur. Unë vërtet kam nota të mira, por eksperiencë në punë nuk kam shumë. Po, kam qenë pedagog, megjithatë të punoj me ju, është privilegji më i madh që më është dhënë në jetë./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›