TemA TV/ Presion me tritol biznesmenit/ Policia heton për konfliktet e pronësisë dhe pazaret e drogës (VIDEO)
Rendi në Shqipëri ka dalë jashtë kontrollit.
Në mesditë një shpërthimi i fuqishëm ka tronditur kryeqytetin, por për fat të mirë nuk ka pasur viktima.
Objekt i sulmeve kriminale tashmë janë biznesmenët, e shkuara e të cilëve ka dritë-hije.
Kështu, një sasi eksplozivi ka shpërthyer në automjetin e ndërtuesit Armando Ceka.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:18 në rrugën Siri Kodra, ndërsa lënda plasëse është vendosur në bagazhin e mjetit tip Volvo me targa AA 997 CX.
Nga shpërthimi është dëmtuar edhe një tjetër automjet që ndodhej aty pranë si dhe janë thyer xhamat e tre bizneseve.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë, të cilat për zbardhjen e ngjarjes i janë rikthyer aktivitetit të biznesmenit.
Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se ka dyshime të forta që ngjarja është një presion ndaj biznesmenit se sa një atentat për ekzekutimin e tij.
Mësohet se makina e Armando Cekës ka shpërthyar sapo ai ka ndezur motorin e ka filluar të ecë, ndërkohë që sasia e tritolit të vendosur ka qenë e vogël.
Gjithsesi policia bën të ditur se po heton në disa pista në zbardhjen e ngjarjes, ku përveç aktivitetit të biznesmenit në fushën e ndërtimit, dyshohet dhe përfshirja e tij në grupe të trafikut të lëndës narkotike.
Shkak për këtë pistë hetimi të policisë është arrestimi i ortakut të tij me një sasi të konsiderueshme heroine.
Një pistë tjetër e hetimit është ajo e konfliktit me banorët e zonës së Don Boskos, aty ku ende nuk është përfunduar së ndërtuari një prej pallateve të biznesmenit.
Banorët e kanë kallëzuar disa herë në polici për shitjen e apartamenteve dy herë.
Ortakut të tij, Lorenc Terenaj, më 17 mars të këtij viti i kanë vënë një sasi të konsiderueshme tritoli në banesë po në rrugën Siri Kodra.
U kap me drogë, e liroi gruaja e guvernatorit
Një nga pistat që policia e Tiranës ka ngritur për të zbardhur ngjarjen e vendosjes së tritolit në makinën e biznesmenit është mundësia e përfshirjes së tij në trafikun e lëndëve narkotike. Në gusht të vitit 2011, sektori i antidrogës i Policisë së Tiranës arrestoi ortakun e biznesmenit Armando Ceka, pasi në makinën e tij u gjet një sasi prej 1.2 kilogram heroinë.
Ndërsa ngjarja asokohe u reklamua nga policia si një aksion ku në pranga ra një prej eksponentëve të grupeve të trafikut të lëndës narkotike, pak kohë më pas Lorenc Terenaj rifiton lirinë nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë, ku relatore e dosjes ishte Ardiana Fullani, gruaja e guvernatorit të Bankës, Ardian Fullani.
Gjyqtarja Fullani vendosi lirimin e menjëhershëm të Lorenc Teranajt me argumentin se gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ka pasur shkelje të rënda procedurale.
