Shqipëria, 120 trupa në Afganistan
Shqipëria do të dërgojë edhe 120 trupa të tjerë në Afganistan gjatë procesit zgjedhor që do të mbahet në këtë vend. Lajmi u bë i ditur dje nga Ministria e Jashtme shqiptare dhe ajo italiane, sipas të cilave trupat do të jenë nën komandën e Italisë. “Shqipëria ka vendosur të rrisë kontributin e saj në mbështetje të Forcave Aleate në Afganistan, në prag të zgjedhjeve të ardhshme të 20 gushtit 2009, të cilat konsiderohen shumë të rëndësishme për vendin. Për këtë arsye, një njësi shtesë, e përbërë nga 120 ushtarë do të dislokohet në Komandën Rajonale të Perëndimit, në Herat, për t’iu bashkuar njësisë shqiptare që është tashmë e angazhuar në ISAF, si pjesë e kontingjentit që udhëhiqet nga Italia, në Komandën Rajonale të Perëndimit”, thuhet në njoftimin për shtyp. “Tirana dhe Roma aktualisht po punojnë në bashkëpunim të ngushtë, për të siguruar dislokimin e shpejtë të kësaj kompanie dhe bërjen e saj operacionale përpara zgjedhjeve”, vijon më tej deklarata Ministrive të Jashtme të Italisë dhe Shqipërisë. Ky vendim i qeverisë është vlerësuar nga të gjithë aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut. Në mënyrë të veçantë ai ka marrë vlerësimet e përfaqësuesit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Afganistanin dhe Pakistanin, Riçard Hollbruk, i pranishëm dje në mbledhjen e ambasadorëve të NATO-s në Bruksel.