Basha: Mesazhi i BE, inkurajues
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vlerëson si inkurajues deklaratën e ministrave të BE-së në Bruksel, të cilët theksuan se do të shprehen për aplikimin e Shqipërisë pasi të mbyllet procesi zgjedhor. Cili ishte reagimi juaj pas mesazhit të dhënë nga ministrat e Jashtëm të BE-së në Bruksel?
Duhet kuptuar si një mesazh shumë inkurajues për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Mendoj se deklarata e Bashkimit Evropian qartësisht rikonfirmon mbështetjen që Bashkimi Evropian i jep axhendës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe merr shkas pikërisht në këtë deklaratë nga aplikimi i Shqipërisë i paraqitur në 28 prill, nga kryeministri Berisha presidencës së radhës dhe i cili pritet të trajtohet sipas kësaj deklarate pas përfundimit të procedurave zgjedhore.
Kur është fjala për procedurat zgjedhore, zoti Basha, njoftimet nga Brukseli lënë të kuptohet se në qendër të vëmendjes së takimeve dhe bisedimeve që keni pasur ju atje ka qenë pikërisht edhe zvarritja e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Nuk do të thosha se ka një kapërcim sa i përket kohës që ka marrë procesi, sepse kjo kohë është parashikuar me ligj. Unë mendoj se qartësisht procesi vlerësohet nga të gjithë partnerët tanë evropianë. Është një proces, i cili tashmë është i përfunduar, por teknikisht KQZ-së, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i duhet të presë edhe për këto pesë ditë të kësaj jave, në mënyrë që të ezaurojë afatin pesëditor ligjor që i jep Kodi çdo force politike apo çdo subjekti politik për të ankimuar ndarjen e mandateve dhe merr formën e prerë në datën 1 gusht. Pra, jo më shumë se afër një muaj pas ditës së zgjedhjeve ne kemi përfunduar çdo procedurë teknike, çdo kontestim. Pra, mendoj se krahasuar edhe me zgjedhjet e tjera në Shqipëri, por krahasuar edhe me zgjedhje të standardeve euroatlantike, kjo është një kohë jashtëzakonisht e arsyeshme për të përfunduar një proces zgjedhor, duke përfshirë këtu edhe periudhën e kontestimeve dhe konfirmimeve.
Kur është fjala për kontestimet, çfarë mund të thoni për kontestimet që vijnë nga blloku i majtë, saktësisht sot pasdite do të dihet edhe qëndrimi i Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj lidhur me njohjen apo, nuk përjashtohet mundësia, edhe mosnjohjen e këtyre rezultateve?
Mendoj se duhet të sqarojmë qartësisht dy anë të këtij diskutimi. E para ka të bëjë me anën ligjore, dhe këtu qartësisht nuk ka vend për hamendësime, pasi KQZ-ja me votë unanime 7 me 0 ka miratuar të gjitha mandatet përkatëse për çdo qark të Shqipërisë, çka do të thotë se KQZ-ja, si një organ i zgjedhur me votë unanime të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste në parlamentin shqiptar, duke zbatuar Kodin, po kështu të miratuar në mënyrë unanime nga deputetët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në Kuvendin shqiptar, i ka dhënë përgjigjen përfundimtare kësaj pyetjeje. Personalisht mendoj se nuk duhet që Partia Socialiste apo lidershipi i saj të vendosë interesat e ngushta të një personi, një grupi apo të një klani mbi ato kombëtare, duke hedhur në tregun e retorikës politike fjalë të tilla të rënda dhe pa vend në vitin 2009 për një vend anëtar të NATO-s, siç është bojkoti politik, por natyrisht kjo është në dorë të Partisë Socialiste, e cila pa dyshim do të mbajë edhe barrën e plotë të përgjegjësisë për çdo vendim që merr.
Keni pasur bisedime qoftë edhe telefonike me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Bildt, që është kryesues i radhës i BE-së, lidhur me çështjen e regjimit të vizave. Nuk ju vjen keq që vetëm Shqipëria dhe Bosnja u veçuan nga heqja e vizave për momentin?
Në raport, me një nga kriteret kryesore teknike, pasaportat biometrike, momenti i fundit i verifikimit nga Komisioni Evropian dhe nga Bashkimi Evropian në tërësi ishte maji i këtij viti. Shqipëria sapo kishte nisur procesin e prodhimit të pasaportave biometrike. Opinionit publik i kujtohet qartë se pasaporta e parë është lëshuar në prani të zëvendëskomisionerit Jacques Barrot, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Tiranë. Por në këtë kontekst unë dua të përsëris, së pari, angazhimin e shprehur qartë nga qeveria shqiptare, nga kryeministri Berisha, për të ecur përpara në procesin e pasaportave biometrike, proces i cili sot po ecën me një ritëm shumëfish më të lartë se sa ai i pritshëm apo i deklaruar përpara zyrtarëve të Komisionit Evropian, para të cilëve kemi deklaruar se nga fundi i vitit do të kemi 100 mijë qytetarë të pajisur me pasaportat biometrike, dhe me ritmet e sotme jam i sigurt se ky ritëm do të dy, tre apo katërfishohet. Dhe së dyti, ashtu siç e ka bërë të qartë edhe Brukseli zyrtar, verifikimi i këtij procesi, i cili ndodh në periudhën tetor, nëntor, qartësisht do të hapë dyert edhe për Shqipërinë, edhe për shqiptarët. Një gjë do të jetë e sigurt, që angazhimi i kryeministrit Berisha, i qeverisë së tij, që brenda vitit të parë të mandatit të dytë shqiptarët të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen, është plotësisht i realizueshëm dhe ne po punojmë që këtë premtim jo vetëm ta realizojmë në kohën e duhur, por edhe ta afrojmë sa më shumë, për të cilën po ashtu mbetem optimist.
Ambasadori gjerman flet për aplikimin
“Kërkesa e Shqipërisë për në BE shqyrtohet në vjeshtë”
Bashkimi Evropian do të marrë në konsideratë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE vetëm në vjeshtë, pasi të jetë mbyllur procesi zgjedhor. Këtë e bëri të ditur dje ambasadori gjerman në vendin tonë, Bernd Borchardt, në përfundim të një stërvitje të forcave speciale RENEA. "Për sa i përket përmbushjes së kritereve të Shqipërisë si vend kandidat, ky është një vendim që do të shqyrtohet në vjeshtë në Bruksel. Për këtë qëllim ne do të analizojmë të gjithë procesin zgjedhor dhe fundjavën tjetër do të shpallet edhe përfundimi i zgjedhjeve. Por për shembull analiza e financimit të zgjedhjeve nuk ka përfunduar ende. Kjo do të jetë një nga pikat e veçanta në kuadër të procesit elektoral dhe sigurisht që do të përfshihet në vlerësimin përfundimtar", u shpreh ambasadori gjerman. "Lufta kundër krimit të organizuar është një element shumë i rëndësishëm në përafrimin e Shqipërisë në BE. Qeveria gjermane dëshiron të mbështesë Shqipërinë në këtë proces, pasi është vendimtar edhe për liberalizimin e vizave", vijoi më tej ambasadori gjerman.