E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të ndërtojmë hidrocentralin e Skavicës

Deklarata është bërë nga kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të qeverisë, nga ku ka theksuar se "Skavica do të jetë në 2 vitet që vijnë projekti kryesor i punëve publike në Republikën e Shqipërisë". “Ne jemi para dy alternativave: e para është të shkojmë sërish në tender, por ka dhe një alternativë tjetër që më është dukur gjithnjë më e mira, që qeveria shqiptare të marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre të mrekullueshme energjetike", th kreu i qeverisë.  Sipas tij, "kjo ide ka hasur më parë në kundërshtime të shumta, të cilat kanë qenë të bazuara, pasi Qeveria duhet t'i jepte përparësi absolute ndërtimit të rrugëve".  "Tani është krijuar një situatë tjetër shumë më premtuese që qeveria të konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigande", tha Kryeministri. Ai kërkoi nga Ministria e Ekonomisë dhe KESH-i që ta shqyrtojnë me hollësi këtë situatë dhe të hapë tenderin për projektin nga studimet fillestare, deri tek projekti i zbatimit, ose të përcaktojë parimet dhe ta tendrojë me çelsa në dorë. "Në kohën që pregatitet projekti, do një kohë minimumi 1 vit dhe maksimumi 2 vjet, kohë kjo kur edhe projektet e mëdha të rrugëve do të kenë marrë drejtim zhvillimi", tha Kryeministri Berisha. Ai u shpreh optimist se "ndërtimi i këtij HEC-i do të fillojë gjatë këtij mandati dhe shpresoj që mandatin tjetër ajo të jetë vepra kryesore publike që ndërtohet në Shqipëri".      "Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë e ndërtimit të veprave botërore. Pas rrugëve, Skavica  është vepra më e dobishme që brenda portofolit tonë mund të ndërtojmë. Pasi të bëhen të gjitha përllogaritjet dhe kostoja e projektit, në pamundësi ekstreme, mund të shihet mundësia e ofrimit të aksionerëve të tjerë, por ku qeveria të jetë lider dhe të udhëheqë këtë proces, duke pasur të gjithë përgjegjësinë e përfundimit të kësaj vepre", tha Kryeministri Berisha. "Në kaskadën e Drinit, hidrocentrali i Skavicës duhej të ndërtohej i pari, pasi pozicioni i saj natyror e bën atë një nga vendet më të përshtatshme në tërë Europën për ndërtimin e një hidrocentrali. Skavica është një nga ngushticat më të përshtatshme në vendin e presupozuar ku do të ndërtohet diga, por dhe me shpatulla shkëmbore më të forta", tha Kryeministri Berisha.      Ndërtimi i këtij HEC-i, sipas Kryeministrit, "jo vetëm që shton me rreth 350 apo 400 megavat prodhimin e energjisë, por optimizon funksionimin e gjithë kaskadës".   Duke informuar mbi përpjekjet që janë bërë për ndërtimin e këtij HEC-i, Kryeministri u shpreh se "kjo ide ka rreth 30 vite që qarkullon në të gjitha kabinetet dhe institucionet e energjetikës së vendit".  Ndërtimi i HEC-it të Skavicës, sipas Kryeministrit, "ul në mënyrë të ndjeshme edhe mundësitë e përmbytjeve të mëdha në zonën e Nënshkodrës dhe Shkodrës". Projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës do të kryhet mbi lumin Drin në verilindje të vendit në fshatin me të njëjtin emër në rrethin e Kukësit.                                                                                              

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›