Temperaturat e ulëta, nxënësit mësim në shkolla pa ngrohje
Qyteti i Beratit ka regjistruar gjatë dy ditëve të fundit temperatura tepër të ulëta, të cilat janë shoqëruar me reshje bore në zonat malore. Por, me gjithë këto temperatura të ulëta ende nuk janë marrë të gjitha masat për ngrohjen e ambienteve të shkollave në këtë qytet. E ndërsa, problemi i ngrohjes është zgjidhur për kopshtet dhe për çerdhet, shkollat vazhdojnë të kenë probleme për sa i takon çështjes së ngrohjes. Shumë prej shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme nuk kanë ngrohje në ambientet e tyre, çka ka vështirësuar ndjeshëm zhvillimin e procesit të mësimit. Problematike mbetet situata pasi mungojnë fondet për blerjen e druve për ngrohje në ato shkolla të cilat sobat me dru janë të vendosura, ndërkohë që një tjetër problem është dhe pamundësia për vendosjen e tyre. Shumë shkolla të rikonstruktuara gjatë viteve të fundit nuk kanë të vendosura sistemin e oxhaqeve, çka e bënë të pamundur vendosjen e sobave. Dje, në Berat, në shumë shkolla nëntëvjeçare procesi i mësimit është zhvilluar i reduktuar. Stafi i mësuesve vendosi që orët që zhvillohen me nga 35 minuta, pasi nxënësit dhe mësuesit e kanë pasur të pamundur të qëndrojnë nëpër klasa ku mungojnë mjetet ngrohëse. Burime pranë zyrës së shërbimeve në këtë qytet sqarojnë se edhe në ato shkolla ku janë të vendosura sobat jo gjithmonë vihen në përdorim si pasojë e mungesës së fondeve për të blerë lëndën e parë, siç janë drutë.
Me fondet që kjo zyrë është thuajse e pamundur që të përmbushen të gjitha kërkesat për vendosjen e mjeteve ngrohëse në të gjitha shkollat e këtij qyteti. Në këto kushte, si nxënësit ashtu dhe mësuesit po përballen me vështirësi gjatë procesit të mësimit, çka ka çuar në vendimin për zhvillimin e mësimit të reduktuar.