E Diel, 1 Nëntor 2026

Temperaturat nën 0 “mbërthejnë” vendin, komuna e rrugë të bllokuara

TIRANË- Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta të 24 orëve të fundit kanë bllokuar dhjetëra akse rrugore duke izoluar komuna të tëra (kryesisht ato veriore e verilindore).

Policia këshillon të gjithë drejtuesit të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjes dhe të përdorin zinxhirë, vecanërisht në Korcë, ku temperaturat kanë arritur deri në -13 gradë celsius, ndërsa raportohet se ka prani të madhe ngricash në rrugë. Të bllokuar janë akset rrugore Peshkopi-Librazhd dhe Kukës-Shishtavec. Ndërsa në aksin Fushë Arrëz-Qafë Mali qarkullimi kryhet me vështirësi.
Edhe në aksin rrugor Kukës- Krumë – Bajram Curri, ku trashësia e borës arrin deri në 20 centimetra, lëvizja e mjeteve bëhet me zinxhirë.
Shefi i Emergjencave Civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema thotë se në aksin rrugor Kukës – Daj Rec, ku trashësia e borës arrin në 40 centimetra, lëvizja e mjeteve kryhet me zinxhirë, ndërsa aksi rrugor Kukës – Shsishtavec është i kalueshëm deri në afërsi të fshatit Shtreze, ku dy mjete borapastruese po punojnë për rihapjen e rrugës deri në Shishtavec.

Aktualisht në segmentin e autostradës Morin- Kukës –Tunel ,lëvizja e mjeteve është normale, ndërsa mjetet borëpastruese vazhdojnë të hedhin kripë e skorje për ti mbajtur rrugët në gjendje të kalueshme qarkullimi. Ndërkohë që në një segment afër tunelit, trashësia e borës arrin në rreth 40 centimetra.

Ngricat dhe akulli kanë krijuar vështirësi edhe në qarkullimin e automjeteve, kryesisht përgjatë rrugës që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë. Punonjës dhe mjete të kësaj ndërmarrjeje janë në terren dhe po ndërhyjnë përgjatë gjithë segmentit që përshkon qafën e LLogarasë, duke hedhur kripë, çka është shoqëruar me përmirësimin e kushteve të qarkullimit.

Në rrethin e Dibrës janë të bllokuara komunat Lurë, Trebisht, Ostren, ndërsa e njëjta situatë paraqitet edhe në komunat e Kukësit, Grykë Caj, Kalisë, Shishtavec, Zapod, Topojan, Arrën.
Korce
Në qarkun e Korçës, dëbora dhe ngricat kanë lënë të bllokuara disa komuna të këtij rrethi, ndërsa qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhir.
Të bllokuara janë komunat Lekasi e Vithkuqi. Në Ersekë, të bllokuara komunat Novoselë, Barmashi, ndërsa në Pogradec, komuna të bllokuara janë Trebinja dhe Velcan e Proptisht.
 
Burime nga Shtabi i Emergjencave Civile të këtij rrethi bëjnë të ditur se, "në aksin rrugor Qafë -Thanë Pogradec, si pasojë e dëborës dhe ngricave, qarkullimi i mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë, ndërkohë që fshati Proptisht, i rrethit të Pogradecit është i bllokuar nga dëbora.

Mësohet se vlera e temperaturave në rrethin e Korçës ka arritur në -13 gradë celcius, ndërsa temperatura më e ulët është shënuar në fshatin Sheqeras, me një vlerë -15 gradë celcius, një fshat ky i nxehtë në verë dhe shumë i ftohtë në dimër.
Edhe në Korçë, Ndërmarja e Rrugëve po punon duke hedhur skorie në rrugë, ku në bashkëpunim me Policinë e Qarkullimit Rrugor janë angazhuar për normalizimin e situatës.

Shkoder
Ulja e ndjeshme e temperaturave, të shoqëruara me dëborë dhe ngrica, kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore në qarkun e Shkodrës dhe kanë lënë të bllokuara disa fshatra në zonat e thella malore, ku trashësia e dëborës ka kaluar mbi një metër.
E diela duket se është dhe dita më e ftohtë e këtij fillim viti, kur ulja e ndjeshme e temperaturave ka dhënë ndikimin e vetë negativ, jo vetem në zonat e thella malore, por dhe në qytetin e Shkodrës, ku në orët e para të mëngjesit shtresa akulli janë parë në shatërvanin qëndror të qytetit.
Nga burimet zyrtare të prefekturës së Shkodrës, mësohet se me uljen e temperaturave, akseve rrugore në zonat e thella malore të qarkut Shkodër, të cilët një ditë më parë u njoftuam për bllokim të shtresave të të mëdha dëbore, sot i janë shtuar edhe ngricat që kanë krijuar probleme serioze në qarkullimin e automjeteve.
Në këto kushte, ndër zonat bllkuara vazhdojnë të mbeten disa fshatra të Vermoshit, në komunën Kelmend të rrethit Malësi e Madhe, ku trashësia e dëborës ka kaluar mbi një metër. Probleme janë vërejtur edhe në Qafë Thore dhe Dukagjin, në komunën Shalë, në rrethin e Shkodrës, si dhe në disa zona të rrethit të Pukës, kryesisht në Qafë Mali, Qafë Shllak dhe Iballë, ku trashësia e borës shkon nga 60 centimetra, deri në një metër lartësi.
Nga të njëjtat burime bëhet e ditur se në këto akse rrugore, strukturat shtetërore, në bashkëpunim me shumë ndërmarrje private të kontraktuara për këtë situatë, po punohet për normalizimin e situatës së krijuar nga i ftohti i dimrit.

Shqetësuese për momentin situata është vetëm për qarkullimin e mjeteve në disa akse, dhe shkëputje të energjisë elektrike në ndonjërën nga zonat e thella, për shkak të erërave të forta që dëmtojnë linjat, ndërkohë që nga drejtuesit e komunave nuk është vërejtur ndonjë shqetësim përsa i përket furnizimit të popullatës me bazë ushqimore, apo ushqim për blegtorinë, pasi janë marrë të gjitha masat për përballimin e situatave të mundëshme, prezente si në ç'do stinë dimri.
Elbasan
Te gjitha akset nacionale në qarkun e Elbasanit janë të kalueshme, ndërsa problem mbeten disa zona rurale, ku për shkak të trashësisë së dëborës, qarkullimi i mjeteve është i ndërprerë,
Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile për qarkun e Elbasanit, Mustafa Arapi, tha se, "aktualisht problem në qarkullim mbetet aksi rrugor Qafë-Thanë Pogradec, ku për shkak të ngricave dhe dëborës, qarkullimi i mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë, ndërsa me vështirësi në këtë aks rrugor është qarkullimi i mjeteve me tonazh të rëndë".

Mësohet gjithashtu se në katër komuna të qarkut të Elbasanit është vështirësuar qarkullimi i mjeteve, edhe pse këto të fundit janë të pajisur me zinxhirë. I vështirë qarkullimi është në akset rrugore rurale Sopot-Stravaj, në komunën Stravaj, Rrajcë Sutaj në komunën e Rrajcës, dhe Komuna Zavalinë dhe Labinot Mal, ku dëbora dhe ngricat kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve.

Shtabi i Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Policinë po punojnë për normalizimin e qarkulimit rrugor në këto akse me qëllim evitimin e aksidenteve të mundëshme.

(d.b/ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Shkodër, ngicat vështirësojnë qarkullimin e mjeteve Pukë, shembet këmba e urës që lidh segmentin Qafë Mali – Fierzë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›