E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fevziu denigron Enver Hoxhën, është i djathtë”

Kohët e fundit ka pasur një rritje të interesimit e të diskutimit mbi figurat historike, të cilët janë shoqëruar dhe me shkrime e botime të ndryshme mbi jetën dhe veprimtarinë e tyre. Kjo është padyshim një gjë e mirë dhe e dobishme. Historia është një fushë e hapur për opinione të të gjithë krahëve dhe ato, sido që të jenë, shërbejnë si nxitje për rishikimin e sipas rastit dhe për rivlerësimin e figurave historike dhe të historisë, përgjithësisht e cila gjithnjë do të ketë nevojë për dokumentacion të ri e për mendim të ri. Por, ky është një proces i pafund që realizohet me punë këmbëngulëse e të vazhdueshme, e jo me fushata e me aksione, me kërkime e me qëmtime serioze mbi dokumente, për të njohur çdo detaj me rëndësi në jetën e tyre, e jo për të shuar kureshtjen me to apo akoma me keq për të “gërmuar” në biografi e pastaj për të ndërtuar fushata denigrimi ndaj tyre siç është vepruar dhe në rastin e përgatitjes së librit “Enver Hoxha” të autorit Blendi Fevziu.
Çdo periudhë historike ka protagonistët e vet, ka figurat e saj, të cilët duhen trajtuar me kujdes, me objektivitet në lidhje me kohën, me kushtet e me rrethanat në të cilat ata kanë vepruar. Për punimet historike, përfshi dhe biografitë mbi figurat historike, janë të huaja qëndrimet e njëanshme, tendencioze, përzgjedhja dhe manipulimi me “fakte”, me citate të shkëputura nga konteksti apo dhe me thashetheme. Punimet që hartohen në këtë mënyrë, me këtë metodë zakonisht nuk mirëpriten e nuk lënë shije të mirë. Punimi nuk bëhet për t`iu përgjigjur një momenti të caktuar politik dhe për të kënaqur një rreth të caktuar njerëzish, qofshin këta dhe politikanë, por për t’ju përgjigjur interesimit të gjerë të opinionit publik, për të plotësuar një nevojë të lexuesit të gjerë, pra dhe të historiografisë shqiptare, pavarësisht se ai nuk është një punim i mirëfilltë shkencor.
Njëri nga autorët e shumtë që kanë shkruar mbi librin shtronte pyetjen: Kush është ky njeri që hedh baltë në këtë mënyrë mbi një personalitet e një periudhë të tërë historike? Kjo, në fakt nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka ajo çfarë është shkruar e jo kush je ti e kush jam unë, me kë rri ti e me kë rri unë. Në këtë rast nuk ka vlerë shprehja “më thuaj me kë rri, të të them kush je”. Synimi dhe preokupimi i librit dhe i autorit është i qartë, denigrimi i Enver Hoxhës dhe mohimi i periudhës së tij me qëllim që nga historia bashkëkohore të mbeten dy periudha të “arta”, mbretëria zogiste dhe qeverisja e sotme, të tjerat të denigrohen e të mohohen.
Mirëpo, kjo nuk është e lehtë të bëhet as me Enver Hoxhën dhe as me periudhën historike përkatëse, një periudhë shumë e rëndësishme dhe shumë e ndjeshme për opinionin publik, siç nuk është e lehtë dhe të shkruash për ta, aq më tepër në një ambient te politizuar, siç është ky i yni, i ndarë në vlerësimin e tij e përgjithësisht të kaluarës me një numër jo të pakët nostalgjikësh, që nuk të lejojnë t‘i bësh as kritikën më të vogël Enver Hoxhës e politikave të tij dhe me një numër kundërshtarësh, po kaq të nxehtë, në krahun tjetër, që kërkojnë të mohohet totalisht; me një klasë politike që s‘mund ta them se është injorante,por të paktën jo realiste, jo e mençur, që kthen kokën prapa e nuk shikon përpara. Që merret me historinë e u nuk merret me ekonominë, me pushtetarë që nga mënyra se si këmbëngulin të trajtohet, më mirë të them të denigrohet kjo figurë, e përgjithësisht e kaluara. Të krijohet përshtypja se vuajnë ende nga komplekset e së kaluarës, për arsyet që i dinë ata. Kartës së anti-komunizmit të tundur prej më shumë se dy dekadash, i ka dalë tashmë boja. Ajo nuk mund të përdoret më, as për hedhur baltë mbi të shkuarën, e cila sido që të ketë qenë është e shkuara dhe as për të justifikuar e për të mbuluar problemet e sotme.
A i ishte Fevziu, personi i duhur për të hartuar një biografi mbi Enver Hoxhën, madje të parën biografi për të, siç na thotë vetë autori. Në disa aspekte po, në disa të tjera jo. Ai nuk është pa kulturë e sidomos pa iniciativë. Nuk është dhe pa njohje të problemeve, por kjo njohje është sipërfaqësore, aq sa e kërkon emisioni “Opinion” që ai drejton, por e pamjaftueshme për më tej, për punë të tilla serioze, siç është dhe hartimi i një biografie për një figurë të këtyre përmasave. Ai nuk është gjithashtu i paanshëm. Rreshtimi hapur me pushtetin e me të djathtën ekstreme e ka paragjykuar librin ende pa dalë, ka ulur besueshmërinë e tij. Intelektuali i vërtetë,- shkruan prof. Rexhep Qosja,- nuk rreshtohet kurrë me pushtetin, nuk bëhet kurrë palë me të, por qëndron në opozitë dhe lufton gjithmonë që ai të bëhet i arsyeshëm e i dobishëm, jo vetëm për zyrtarët por dhe për qytetarët. Së fundi, ai nuk është historian, nuk njeh, siç do të duhej në një rast të tillë historinë,periudhën përkatëse dhe dokumentacionin e saj. Kërkesë kjo e domosdoshme për të pasur akses e sukses në një punë të tillë, që s`është e lehtë të realizohet.
Është e vërtetë që jashtëzakonisht biografitë mbi udhëheqësit e mbi politikanët e njohur nuk shkruhen nga historianë, por nga publicistë e gazetarë. Por, ata janë njerëz me kulturë e me përvojë të madhe dhe bëjnë gjithashtu një punë të madhe përgatitore, që zgjat me vite para se të ulen të shkruajnë. Nga ana tjetër, ata nuk jetojnë në ambientin tonë shoqëror të politizuar, të ndarë sipas klaneve, sipas partive, sipas interesave, sipas krahinave e pse jo dhe sipas feve, pavarësisht se asnjëra nga këto nuk pranohen, prandaj dhe në disa drejtime ato thellohen. Janë këto disa nga arsyet përse tek ne ende nuk është lehtë të shkruash sepse menjëherë ndesh në reagime, kryesisht të njerëzve fanatikë që duan të shfrytëzojnë rastin për të treguar besnikërinë ndaj pushtetit apo pushteteve. Këto janë disa nga problemet apo shkaqet përse vendi, edhe pas më shumë se dy dekadave, vazhdon të jetë në tranzicion, jo vetëm ekonomik, por dhe politik i ndarë në kampe kundërshtare, të vendosur në llogore të palëvizshëm e të mbërthyer në polemika pa fund, që shprehin më së shumti ambicien për pushtet, se sa preokupim për njerëzit e për jetën e tyre.
Për librin e Fevziut mund të thuhen shumë gjëra e mund të shkruhet gjatë, por kësaj here dua të nënvizoj vetëm dy-tri gjëra që mua më duken me rëndësi, pa pasur fare merak se ndonjëri do të thotë se po mbron Enver Hoxhën. Unë jam historian pikërisht i kësaj periudhe. Si pedagog shumëvjeçar në Universitet dhe punonjës shkencor në Akademinë e Shkencave kam qenë gjithnjë i bindur se me historinë e me figurat historike, sidomos në një vend të vogël e me një popull si ky i yni, që e çmon historinë, që jeton me të, duhet bërë shumë kujdes që ata të trajtohen me objektivitet, pa paragjykime, pa denigrime. Asnjë personalitet, pavarësisht përmasave e krahut, nuk mund të jetë i përsosur, i pagabueshëm. Historiografia shqiptare me të drejtë po përpiqet t‘i çmitizojë figurat historike, për t‘i parë ata realisht si njerëz realë.
Por, nga ana tjetër duke theksuar se aftësitë, përkushtimi dhe kontributi i një figure historike shfaqen sidomos në periudha kthese, në momente vendimtare të historisë, atëherë kur ajo shtron detyra që kanë të bëjnë me ardhmërinë e një vendi e një kombi dhe një moment i tillë ishte padyshim Lufta Nacionalçlirimtare, pa të cilën nuk mund të kuptohet vendi dhe roli i figurës që trajtohet në libër. Pikërisht ,disa gjëra kryesisht nga kjo periudhë do të përpiqem të sjell në vëmendje, sigurisht duke iu referuar librit që po diskutojmë.
Çështja e parë ka të bëjë me përpjekjen e autorit për ta paraqitur Enver Hoxhën si një njeri pa shkollë,pa kulturë, injorant, mediokër, të paaftë, të pazotin, pa kurrfarë aktiviteti e bek graundi, që rastësisht hyri në politikë dhe krejt rastësisht erdhi në krye të PKSH e më pas dhe të vendit. Do të mjaftojnë dy tri gjëra, dy tri momente, të mbështetur në dokumente, për të kuptuar se në këtë rast autori gabon, se realiteti nuk është kështu.
Hyrja e Enver Hoxhës në politikë u bë shpejt, në moshë fare të re, por dhe në mënyrë krejt të natyrshme, normale. Askush nuk lind politikan apo udhëheqës, por mund të bëhet i tillë kur i përkushtohet tërësisht kauzës që përqafon, kur di të shfrytëzojë rrethana që krijohen dhe momentin historik të përshtatshëm. Ai u bë shpejt i njohur në rrethet intelektuale e më pas dhe politike, për shkak të shkollimit jashtë, aq sa ishte, por që në atë kohë nuk ishte pak, të disa dhuntive personale, të prejardhjes nga një familje e vjetër, e njohur, qytetare, me tradita kulturore e patriotike, me njohje e lidhje të shumta etj, por dhe të hyzmetit që nisi t’i bëjë vetes, të ardhmes së vet, që më pas do të lidhej dhe me të ardhmen e vendit. Ai nuk u caktua rastësisht,- siç thotë Fevziu,- të flasë në Shkodër, në rastin e marrjes së eshtrave të Çerçiz Topullit e të Muço Qullit, fjalë e cila, duhet thënë se bëri përshtypje jo të vogël. Aty, ai u zotua në emër të djalërisë shqiptare se do të ndjekë rrugën e tyre dhe do të luftojë për të përmirësuar e ndryshuar gjendjen e vendit. Këtë s‘mund ta bënte pa qenë dikushi. Pretendimi se u caktua pasi u sëmur me grip Dosti, nuk qëndron. Por edhe sikur të ishte kështu, edhe kjo nuk është pak. Fevziu nuk bën mirë që çdo gjë të mirë që lidhet me të, e konsideron të rastësishme. Në Shkodër delegacioni shkoi i organizuar, me gjëra të kopsitura mirë, të diskutuara e të vendosura deri në detaje, pasi ishte një aktivitet i rëndësishëm politik e patriotik.
Ecim më tej: Abaz Ermenji shkruan se kur erdhi në Korçë, si profesor gjimnazi,ku isha edhe unë, Enveri nisi aktivitetin, nisi propagandën për komunizmin. Në këtë kuadër, takonte njerëz e u fliste për komunizmin e për nevojën e organizimit. Një ditë, këtë e bëri edhe me mua. Në një shëtitje së bashku jashtë qytetit, ai nisi të më flasë për komunizmin dhe donte të më mbushte mendjen mua se vetëm komunizmi do ta shpëtojë këtë vend. Nga këto pohime të Ermenjit, një figurë e besueshme dhe e respektueshme, del se ai nuk ishte kurrkush, se kurrkushi nuk mund ta bëjë këtë punë. Kjo punë dhe ky aktivitet do ta shqetësonin Ministrinë e Brendshme, e cila do të urdhërojë organet vartëse në Korçë, që ai të ndiqej,të survejohej, puna e tij të mbikëqyrej; madje kjo u bë dhe shkak që të pushohej nga puna.
Ecim më tej: Në demonstratën e organizuar në Tiranë, në prag të themelimit të PKSH-së, më 28 tetor 1941, në përvjetorin e marshimit fashist në Romë, më e madhja demonstratë në të gjithë vitet e pushtimit, Enver Hoxha është në ballë të demonstruesve, ndër organizatorët e saj, që përleshet me forcat e karabinierisë. Fotot e shpërndara të nesërmen bashkë me urdhrin e arrestit, flasin për një njeri të evidentuar e të skeduar më parë prej organeve përkatëse, për shkak të veprimtarie së zhvilluar, e cila konsiderohej e rrezikshme për regjimin e pushtimit. Është pranuar se kjo demonstratë që vuri në alarm regjimin, që tronditi themelet e tij; përshpejtoi dhe procesin e nisur për afrimin e grupeve dhe krijimin e PKSH.
Të tre këto momente që trajtova shkurtimisht më lart nuk shkojnë në favor të pohimit që bëhet në libër, se ai ishte një njeri pa kurrfarë njohjeje e aktiviteti para se Koço Tashko “ta merrte për dore”, në mbledhjen themeluese të PKSH, për të plotësuar numrin e delegatëve të grupit të Krocës,- një absurditet me të cilin nuk ia vlen të merresh e të komentohet. Koço Tashko në kujtimet e para, të shkruara menjëherë pas çlirimit, ka shkruar se Enver Hoxha luajti një rol të madh, bile ai thotë vendimtar, në afrimin e grupeve dhe në themelimin e PKSH, si dhe në organizimin e Luftës Nacionalçlirimtare,.Pa angazhimin dhe rolin e tij, këto dy ngjarje të mëdha, -thekson Tashko, - do të ishte e vështire, në mos e pamundur, që të kurorëzoheshin me sukses, siç u kurorëzuan.
Për sa i përket zgjedhjes në udhëheqje të PKSH, kjo çështje është shpjeguar shumë qartë, bile në studion e “TV Klan”, në emisionin “Opinion”, nga profesor Kristo Frashëri. Sipas tij, dy ishin arsyet e zgjedhjes në Komitetin Qendror; së pari në mbledhje, gjatë diskutimeve dhe debateve ai u dallua si intelektual, si njeri me kulturë dhe kjo bëri përshtypje në pjesëmarrësit; së dyti ai nuk ishte implikuar më parë në tarafet, në sherret, në grindjet e në mosmarrëveshjet në mes grupeve. Të dyja këto përbenin një avantazh, një arsye që ai të evidentohej e të përzgjidhej ndër kandidaturat për Komitetin Qendror të PKSH. Më pas, zgjidhet sekretar politik i qarkorit të Tiranës dhe nga kjo pozitë luan rolin e koordinatorit të Partisë, në fakt të udhëheqësit të saj. Kësaj periudhe i takojnë një numër komunikimesh, njoftimesh e udhëzimesh të lëshuara prej tij për qarkoret e partisë, të cilat ndodhen në arkiva, si dhe veprimtari të tjera të rëndësishme të organizuara në Tiranë e në qytete të tjera. Në të gjitha këto ai paraqitet si numri një i partisë, deri sa në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH, në mars 1943, zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm.
Në libër kjo ngjitje e shpejtë shpjegohet me mbështetjen e dhënë nga Miladin Popovici. Asnjeri nga bashkëpunëtoret e tij, udhëheqës të PKSH, pjesëmarrës në Mbledhjen Themeluese dhe në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH nuk e ka pohuar këtë, madje as kur janë dënuar nga Enver Hoxha. Megjithatë, edhe sikur të jetë kështu, nuk ka asgjë të keqe; ai erdhi këtu i dërguar nga PKJ-ja, por si përfaqësues i Kominternit, për të ndihmuar në krijimin e në organizimin e një partie të re, pa përvojë dhe pa hyrë në hollësira, me duhet të pohoj, se n disa aspekte e probleme të rëndësishme, përfshi dhe atë të Kosovës, qëndrimet e tij dalloheshin nga përfaqësuesit e tjerë jugosllavë. Pikërisht ato u bënë dhe shkak që udhëheqja jugosllave ta largojë nga Shqipëria, pa mbaruar ende lufta.
Në libër i kushtohet vëmendje Plenumit të Dytë të KQ të PKSH, një moment ky, sigurisht me rëndësi për të gjykuar mbi Partinë e mbi Enver Hoxhën. Por duke u përqendruar tek autokritika e Enver Hoxhës dhe kritikat e bëra në adresë të tij, duke sjellë çfarë tha ai e çfarë tha ky, të krijohet përshtypja se autori ndjek një tendencë të qartë, për të grumbulluar material komprometues, për paaftësinë, për gabimet, për përgjegjësit e tij. Me këto që i ka servirur lexuesit, ai ka menduar se e rëndon, kurse në të vërtetë ndodh e kundërta. Gjithsesi do të ishte në të mirë të punimit e të vetë autorit, që të mos merrej me thashethemet e mbledhjes, por të jepej informacioni i duhur e pa dyshim dhe gjykimi i duhur mbi thelbin e problemit, mbi atë që ndodhi në plenum, mbi prapaskenën që organizuan jugosllavët, me mbështetjen dhe të disa anëtarëve me peshë të plenumit e të Byrosë Politike, pasi organizimi i saj nuk ishte i rastit. Kishte arsye të forta që i detyruan jugosllavët të veprojnë me kaq nxitim, pikërisht në ato momente kur lufta po shkonte drejt fundit dhe çlirimi i plotë i vendit ishte punë ditësh. Nga kontaktet, bisedimet, debatet për probleme të ndryshme, të rëndësishme, përfshi dhe çështjen e Kosovës, të ardhmes së saj, ata kishin krijuar bindjen se me Enver Hoxhën, këtë njeri “të pa zotin”, “të paaftë”, ishte e vështirë,- siç thoshte Tempo, të komunikohej, të bisedohej e aq më pak të mirëkuptohej, për rrjedhoje me të nuk kishte asnjë siguri, as realizimi i planeve për aneksimin e Shqipërisë, përmes “bashkimit vullnetar” në Federatën Jugosllave dhe as sundimi, i qetë e pa probleme i Kosovës, prandaj duhej vepruar sa nuk ishte vonë, për të ndryshuar situatën, për të ndryshuar kreun e Partisë.
Pikërisht për këtë qëllim u shfrytëzua mbledhja e plenumit, e cila do të devijohej nga problemet për të cilat qe thirrur, për t‘i lënë vendin diskutimit mbi shtrembërimet, devijimet e gabimet që, sipas jugosllavëve qenë vërtetuar në jetën dhe veprimtarinë e partisë. Në plenum situata në parti u nxi totalisht; vija e ndjekur u konsiderua e u vlerësua, siç dëshironin jugosllavët, e gabuar, me lëkundje e devijime serioze, herë majtas dhe herë djathtas, me qëndrime herë oportuniste e herë sektare, të cilat i paskëshin sjellë dëm partisë dhe vendit, paçka se realiteti ishte krejt ndryshe. Vendi po shkonte drejt çlirimit të plotë dhe kjo ishte prova më e mirë e drejtësisë së vijës dhe rrugës së ndjekur. Përgjegjës për këtë situatë e për këto gabime bëhej Enver Hoxha, prandaj ndaj tij u drejtua e u përqendrua i gjithë zjarri, e gjithë goditja. Synimi ishte i qartë: heqja e tij dhe zëvendësimi me një tjetër udhëheqës, që jepte më shumë shpresa për mirëkuptim e për bashkëpunim me jugosllavët.
Plenumi është një ngjarje e rendë, që duhet analizuar me kujdes, pa paragjykime e pa spekulime. Në materialet voluminoze të plenumit ka dhe kritika të drejta, për punën e partisë dhe për vetë Enver Hoxhën, por me to nuk duhet abuzuar e spekuluar. Ato tregonin demokracinë e kësaj partie, që në atë kohë nuk e kishte asnjë forcë tjetër politike. Por, në diskutimet e pjesëmarrësve nuk mund të mos shikosh dhe prirjen për të nxirë, pa të drejtë, situatën në parti, pikërisht në një kohë që, siç thashë vendi po shkonte drejt çlirimit dhe kjo përbënte një meritë të pamohueshme për partinë e për udhëheqjen e saj.
Në situatën e rëndë të krijuar në mbledhje, për shkak të ndërhyrjes së përfaqësuesve jugosllavë, për Enver Hoxhën kishte dy rrugë: Së pari, të hapej loja, t‘u kundërvihej sulmeve që tani po vinin jo vetëm nga jugosllavët, por dhe nga bashkëpunëtoret e tij të ngushtë, që për momentin po e linin në baltë; një rrugë kjo që nuk dihej si mund të përfundonte e se ku do të çonte, por gjasa kishte që të çonte në dorëheqje ose në shkarkimin e tij, të cilën e dëshironin dhe e kërkonin jugosllavët, por tani dhe disa prestare të udhëheqjes së partisë, të bashkuar me ta, që synonin t‘i zinin vendin. Dorëheqja do të ishte një akt shumë i rëndë, që mund të sillte ndërlikime të mëdha. Ajo do të ashpërsonte luftën për pushtet, rivalitetin në mes të kandidateve, që synonin të zinin vendin e tij, të cilën e nxisnin dhe jugosllavët, AKA do të thellonte përçarjen në udhëheqjen e Partie. Nga ana tjetër, zëvendësimi i tij do të krijonte probleme në parti, në pushtet e në ushtri, të shoqëruara me pasiguri, me reagime, me kundërshtime e mosaprovim të një akti të tillë, poshtë, në bazën e partisë, në organizatat e partisë por dhe në radhët e ushtrisë, ku ai gëzonte një simpati e autoritet të padiskutueshëm.
Të gjithë këtë situatë konfuze, të paqartë, të pasigurtë, do ta shfrytëzonin me siguri jugosllavët për të imponuar zgjidhet e propozimet e tyre, çka do të ishte me pasoja të rënda, të rrezikshme për pavarësinë e atdheut. Me këtë mund të shpjegohet përse ai zgjodhi autokritikën në vend të dorëheqjes, duke i dhënë kështu fund dilemave për zëvendësim dhe duke “djegur” planet jugosllave për eliminimin e tij. Qëndrimi autokritik, pranimi i gabimeve dhe i përgjegjësive, jepte mundësi që problemet e ngritura në plenum të sqaroheshin, e mbi të gjitha të mos qëndrohej vetëm këtu, të gozhduar pas ngërçit të krijuar nga jugosllavët, por të kapërcehej ai dhe vëmendja të përqendrohej në atë që ishte e rëndësishme, madje vendimtare për momentin, në përpunimin e në miratimin e masave për të çuar deri në fund programin e Partisë, për të përfunduar çlirimin e vendit dhe për t`u përgatitur për qeverisjen e tij pas lufte.
Një qëndrim i tillë pati efekte pozitive të menjëhershme në mbledhje. Anëtarët e plenumit, pas lëkundjeve të para, të pjesshme, duke çmuar pikërisht këtë qëndrim, por dhe meritat në drejtimin e partisë e të luftës, mbështetën Enver Hoxhën dhe nuk lanë hapësire për të shtruar e aq më pak për të pranuar zëvendësimin e tij nga postet që mbante në parti e në pushtet. Kështu u kapërcye një moment delikat, një situatë shumë e rëndë, e provokuar dhe e organizuar nga jugosllavët, e cila do kishte pasur reperkusione të rënda, jo vetëm për PKSH, por dhe për vendin, për pavarësinë e tij.
Mirëpo, për fat të keq, mesa duket, Enver Hoxha nuk do ta harrojë kurrë këtë plenum dhe as ata që e lanë në baltë, në një moment delikat, duke u bashkuar me akuzat jugosllave. Inati për jugosllavët, por dhe për ta, do të zgjasë gjatë. Duke dyshuar vazhdimisht për ta, për veprimtarinë e fshehtë që mund të organizohej kundër tij, ai do të mbikëqyrë rreptësisht punën e tyre dhe në momente të caktuara, kur dyshimet shtoheshin edhe për shkak të informatave që merreshin nga burime të ndryshme, brenda e jashtë vendit, dhe situatat në parti e në vend rëndoheshin, dhe për shkak të presionit të jashtëm, një pjesë e mirë e tyre, që nga Koçi Xoxe e deri tek Mehmet Shehu, do të eliminoheshin si armiq, pavarësisht faktit se ata kishin qenë ndër bashkëpunëtoret e tij të ngushtë dhe së bashku kishin udhëhequr luftën. Ngjarjet që lidhen me këto zhvillime, të cilat pikënisjen e kanë që këtu, në këtë plenum famëkeq, në ndërhyrjet, intrigat dhe synimet jugosllave, por jo vetëm të tyre, do të përbëjnë faqen më tronditëse në të gjithë veprimtarinë e historinë e PPSH-së e të Enver Hoxhës.
(vijon në numrin e nesërm)

Titujt janë të redaksisë. Titulli i origjinalit: Mbi trajtimin e figurave historike. (rreth librit “Enver Hoxha” të autorit Blendi Fevziu)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›