Tendencat në arsim dhe "Bolonja"
Proceset integruese, në veçanti ato në Evropë, kanë ecur shumë përpara në drejtim të formimit të hapësirës së bashkuar që nënkupton jo vetëm integrimin ekonomik dhe politik, natyrën globale të komunikimit modern, por edhe hapësirën e bashkuar në nivel të arsimit, me theks të veçantë në fushën e arsimit të lartë dhe të hulumtimit shkencor, respektivisht në fushën e formimit të bashkësisë ndërkombëtare akademike.
Nevoja për bashkëpunim më të madh në fushën e arsimit sipëror buron nga nevoja dhe natyra e problemeve të përbashkëta që tejkalojnë kontekstin nacional, kombëtar dhe rajonal, siç janë: financimi i projekteve të përbashkëta hulumtuese, mobiliteti i studentëve dhe stafit akademik, ngritja dhe sigurimi i cilësisë në arsim, rritja progresive e bashkëpunimit në sferën hulumtuese si dhe bashkëpunimit gjatë aplikimit etj.
Nuk ka asnjë formë të arsimit ose të hulumtimit shkencor që mund të bëhet në korniza të ngushta nacionale, andaj edhe universitetet, më tepër duhet të bashkëpunojnë. Për këtë shkak, dukshëm shtohen lidhjet ose rrjetat ndërkombëtare të hulumtimeve, si dhe format të tjera të bashkëpunimit akademik. Në këtë kontekst, zhvillimi i shpejt i teknologjisë informative dhe komunikuese vetëm e përshpejton dhe lehtëson këtë bashkëpunim.
Vetëdija për rëndësinë jetësore të arsimit të lartë, për zhvillim ekonomik dhe socio-kulturor të shoqërisë përparimtare paraqitet si prioritet i zhvillimit në fillim të shekullit të ri. Sot, të gjithë e kanë të qartë se pa arsim cilësor dhe institucione hulumtuese, që do të sigurojnë masë akademike të arsimuar, të aftë dhe para së gjithash kritike, asnjë vend nuk do të mund të sigurojë prosperitetin e vetë me çka diskrepanca ekonomike dhe socio-kulturore do të mbetet gjithnjë më e theksuar.
Të qenit pjesë e proceseve integruese nënkupton që përveç plotësimit të kërkesave ekonomike dhe politike, të plotësohen edhe ato që vendosen në arsimim. Hyrja në bashkësinë evropiane nënkupton përshtatje plotësuese të hapësirës legjislative me atë të Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim Republika e Maqedonisë bëri një hap të madh. Ajo solli Ligjin e ri për Arsimin Sipëror, i cili nga Komisioni për Arsim i Bashkimit Evropian u vlerësua me notë të lartë. Gjithashtu nënshkroi shumë dokumenteve të tjera si p.sh., ERASMUS-mundus, Sokrates etj., dokumente që u takojnë mundësive të bashkëpunimit ndërkombëtar, në radhë të parë mundësive të lëvizshmërisë së studentëve dhe të arsimtarëve në nivel ndërkombëtar.
Pranimi në programet e Bashkësisë Evropiane në nivel të arsimit të lartë, universitetet në rajon e në veçanti universitetet me pretekst shqipfolës, duhet të paraqesin gatishmërinë dhe dëshirën për t'i absorbuar të gjitha format e ofruara për bashkëpunim, të cilin e kanë përpara vetes. Tempus programet, si ai ekzistues, paraqet vetëm një formë e ofruar e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve shqipfolëse dhe atyre ndërkombëtare. Nga ana tjetër, bashkëpunimi në kuadër të programeve të përmendura nga universitetet kërkojnë gatishmëri që të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara nga Magna Charta Universitatem. Universitetet duhet të zhvillojnë mekanizma dhe metoda që do të mundësojnë vendosjen më të lehtë të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Evropa, nuk duhet perceptuar dhe kuptuar si një konglomerat financiar dhe ekonomik; respektivisht si Euro-monedhë: Evropa duhet të jetë Evropë e diturisë. Që ky slogan të jetë vlerë parësore e sistemit të vlerave që i kultivon Bashkimi Evropian, universitetet duhet të forcojmë dhe të ndërtojmë dimensione intelektuale, kulturore dhe teknologji inventive.
Si parakusht për realizim të mirëfilltë të procesit integrues akademik, është implementimi i ECTS -European Credit Transfer System - në të dyja format; "edhe si sistem i akumulimit të kredive, edhe si sistem i transferimit të kredive drejt dhe jashtë institucioneve të larta", në të cilat studenti i ka filluar studimet e veta.
Me këtë studentët duhet të kenë qasje në programe të ndryshme, duke përfshirë edhe mundësinë e studimit multidisiplinar, zhvillimin e shkathtësive të gjuhës dhe aftësinë e përdorimit të teknologjive të reja.
Njohja ndërkombëtare e diplomave të shkallës së parë, si nivel i përshtatshëm për kualifikim, është me rëndësi për suksesin e këtij hapi.
Harmonizimi i sistemit akademik, respektivisht internacionalizimi i arsimit sipëror mund të arrihet më shkëmbim të përvojës ekzistuese me të cilën disponojnë universitetet, me diploma të përbashkëta, me iniciativa të përbashkëta hulumtuese dhe, para së gjithash, me anë të dialogut të përbashkët mes të gjithë të interesuarve. Kredia paraqet një mekanizëm me të cilën arrihen lidhjet ndërmjet institucioneve. Studentëve, kreditë u mundësojnë paletë të gjerë të zgjedhjes së kolegjiumit dhe të vendit të studimit. Botimi i "Doracakut për implementuesit e ECTS-së" (ECTS Users' Guide, 1995 dhe 1997)" e përshpejtoi këtë bashkëpunim ndëruniversitar.
Bashkëpunimi ndëruniversitar është i mundshëm edhe jashtë kornizave të përcaktuara me Bolonjën. Bashkëpunimi mund të bëhet përmes organizatave tjera arsimore dhe jo arsimore p.sh."
UNESCO (United Nations Educational, Scientific and Cultural Organisation), është organizata e parë dhe më e madhja, që nxit zhvillimin e arsimit të lartë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në nivel të arsimit të lartë nga formimi i saj, prej viti 1946 e deri më sot. Në lidhje me drejtimin e fundit, të cilat i takojnë bashkëpunimit ndërkombëtar, UNESCO ka formuar programin që zhvillon rrjetin e lidhjeve ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në nivel ndërmjet rajoneve, atë rajonal dhe ndër rajonal për shkak të përparimit të zhvillimit institucional dhe shfrytëzimit të përbashkët të burimit të të mirave dhe të dhënave në këmbimin e përvojës së arsimtarëve, të studentëve dhe të shkencëtarëve. Në mbledhjen e 27 të Konferencës së Përgjithshme, të mbajtur në vitin 1993, vendosi pesë konventa rajonale për njohjen e studimeve, të diplomave dhe të nivelit të arsimit të lartë, me titull "Udhëzime ndërkombëtare për njohjen e studimeve dhe të kualifikimeve në arsimin e lartë". Me këtë është formuar korniza globale që mund t'i shërbejë bashkëpunimit akademik nëse merren parasysh edhe proceset integruese të zakonshme ekonomike, politike dhe kulturore. Me këto, mbështet fort orvatjet e të gjitha institucioneve që gjenden në shërbim të përparimit të lëvizshmërisë së studentëve dhe të mësimdhënësve.
Shoqata Ndërkombëtare e Universiteteve – IAU (International Association of Universities) Aktiviteti i kësaj shoqate është përparimi i këmbimit të informatave, të përvojave dhe të ideve, ndihma dhe përparimi i lëvizshmërisë akademike dhe bashkëpunimi ndërkombëtar ndërmjet universiteteve, zgjerimi i informatave në politikën arsimore nëpërmjet hulumtimit dhe takimeve të llojeve të ndryshme.
Qendra Evropiane për Arsim të Lartë -CEPES (European Centre for Higher Education) Qendra jep programe dhe publikime të dedikuara për qeveritë, institucionet dhe ekspertët e reformave në sistemin arsimor, drejtimet e zhvillimit të arsimit të lartë për shekullin 21, njohjen e diplomave dhe lëvizshmërinë akademike.
UNITËIN - Banka Botërore e Diturisë. Qëllimi i këtij programi është forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, me theks të posaçëm, përkrahja e institucioneve të arsimit të lartë në vendet në zhvillim dhe vendet e Evropës së Mesme dhe Lindore.
Shoqata e Universiteteve Evropiane-CRE (Association of Europian Universities). Kjo shoqatë është e formuar në vitin 1959, si Konferencë e Rektorëve Evropianë, me qëllim që të lidhë një numër sa më të madh të institucioneve universitare dhe të ngjashme të arsimit të lartë në një bashkësi të madhe akademike, që do të nxisë në mënyrë aktive dimensionin evropian të arsimit me anë të dialogut dhe të bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të saj.
Programi TEMPUS (Trans European Cooperation Scheme for Higher Education). Në fillim të viteve '90 Bashkësia Evropiane filloi me programim TEMPUS për zhvillimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet Evropës Perëndimore dhe Lindore. Programi TEMPUS gjatë dy dekadave të saj, ka kaluar disa faza të zhvillimit. Faza e parë, filloi në maj të vitit 1990 dhe ka zgjatur katër vjet, faza e dytë ka filluar në vitin 1994, deri në vitin 1998, por ka vazhduar edhe dy vjet të tjera (TEMPUS II bis). TEMPUS III, ka zgjatur deri në vitin 2007, kurse TEMPUS IV, i cili duhet të startojë në Prill, për Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë duhet të jenë shtytje për zhvillim të aktiviteteve të dendura akademike që t'i plotësojnë kushtet për aktivizimin dhe angazhimin në programet TEMPUS.
Programi SOCRATES (Programi i Bashkësisë Evropiane për Bashkëpunim në Nivel të Arsimit). Skemat e këmbimit të studentëve dhe profesorëve, përbëjnë pjesët më të rëndësishme të programit SOCRATES, qëllimi përfundimtar i së cilës është të sigurojë dimensionin evropian të arsimit, si në shtëpi ashtu dhe jashtë vendit, të formojë programe të përbashkëta, të nxisë projekte shkollore të përbashkëta, të modernizojë metodat e mësimit me përdorimin e mediumeve elektronike, si p.sh., mësimi nga largësia, etj.
Programi i Bashkëpunimi për Arsim të Lartë – ERASMUS. ERASMUS-i është ajo pjesa e programit SOCRATES që i takon nivelit të arsimit të lartë, sidomos në lëvizshmërinë më të madhe të studentëve dhe arsimtarëve në universitete.
Për në fund, për skeptikët, mund të themi se me procesin e internacionalizimit të arsimit sipëror nuk cenohet identiteti institucional që universiteti e ka ndërtuar me dekada të tëra. Formimi i hapësirës evropiane përmes shkëmbimit të studentëve dhe mësimdhënësve mundëson zvogëlimin e jazit mes dhe është në dobi të Evropës, të studentëve dhe të stafit akademik. Apelojmë edhe te vendet e tjera anëtare të Bashkësisë dhe të vendeve të tjera evropiane që të bashkëngjiten në arritjen e këtij qëllimi dhe të gjitha universitetet evropiane të forcojnë pozitën e Evropës në botë me përparimin e vazhdueshëm.
*Autori është Rektor i Universitetit të Tetovës