E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Pas Samitit, duhen reformat

 

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa flet për detyrat pas Samitit

 

TIRANË- "Ftesa për anëtarësim në NATO, do të thotë vazhdim i procesit të reformave". Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka dalë dje para mediave dhe ka përmendur arritjet që janë shënuar nga vendi ynë, në përpjekjet për të marrë ftesën e anëtarësimit. Ai është shprehur se, pavarësisht nga ato, reformat dhe transformimi do të vazhdojë edhe pas Samitit të Bukureshtit, me synimin për të krijuar një ushtri të vogël profesioniste, të mirëpajisur e të mirëtrajnuar, e cila të jetë e denjë të plotësojë misionin e saj, brenda dhe jashtë vendi. "Ministria e Mbrojtjes, marrjen e ftesës për anëtarësim e shikon si fillimin e një procesi intensiv pune dhe angazhimesh, që lidhen si me negociatat, ashtu dhe me përmbushjen e detyrave dhe objektivave nga ana e Forcave të Armatosura, deri në anëtarësimin e plotë në Aleancë. Këtë ftesë e shohim, gjithashtu, si një vlerësim të kontributit madhor të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të përpjekjeve dhe realizimit të reformave nëpërmjet të cilave ato kanë kaluar, si dhe të kontributit që ato kanë dhënë dhe po japin ne operacionet paqeruajtëse në Afganistan, Irak, Bosnje-Hercegovinë etj.", ka deklaruar ministri Oketa, i cili ka përshëndetur kontributin e Forcave të Armatosura në operacionin pas ngjarjes së Gërdecit dhe ka shprehur falënderimet e tij. Për ministrin e ri të Mbrojtjes, këto aftësi të Forcave të Armatosura janë rezultat i vazhdimësisë së procesit të reformave dhe të transformimit të kryer gjatë gjithë këtyre viteve. "Këtu, në mënyrë të veçantë do të doja të theksoja rolin vendimtar që ka luajtur intensifikimi i këtij procesi reformues në dy vitet e fundit, drejt rrugës së anëtarësimit të plotë në NATO, reforma të cilat janë vlerësuar dukshëm edhe nga Ministrat e Jashtëm të BE-së, në takimin e tyre të fundit",- përfundoi ministri Oketa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›