E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vogël po me halle

 

Festohet sot Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë. Shkrimtari Skënder Hasko vë pikat mbi i-të e problemeve që ka kjo krijimtari në vendin tonë. Në librari, titujt më të shitur rezultojnë ata të listës që detyron MASH

"Kur merr fund fëminia zërese ke vdekur", thoshte një artist i madh rumun si Kostandin Brankush. Prandaj mbetet e pareshur përpjekja që të rriturit bëjnë për t'iu rikthyer atyre kohëve të arta të fëminisë. Të bësh kafshët të flasin, të fluturosh me një tapet magjik, të mundësh bajlozë e katallanë, është e mundur vetëm në libra, në librin për fëmijë festa botërore e të cilit është sot, më 2 Prill. Në Tiranë, Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve organizon ekspozita, lexime. "Është e veçantë dhe e rëndësishme, ndaj i kushtohet edhe një ditë më vete", - thotë shkrimtari Skënder Hasko. Festa e librit i gjen me plot tituj libraritë e kryeqytetit. Banakët e raftet janë të tejmbushur me letërsi vendase dhe të huaj. Librarët thonë që libri për fëmijë tërhiqet konsiderueshëm. "Por më shumë ata të listës së orëve jashtë klase", - thotë librari Isuf Baçe.

Kjo është një listë me 74 tituj të përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për arsimin 9-vjeçar. Në këtë listë hyjnë vepra të autorëve Mitrush Kuteli, Petro Marko, Ismail Kadare, Sokol Jakova, Bedri Dedja, Adelina Mamaqit, Odhise Grillo, Zhyl Verni, Mark Tuein, Andersen… Nuk i mungon listës i famshi "Harry Potter", fëmija magjistar që ka bërë për vete të vegjëlit e botës mbarë.

Festa e librit gjen edhe probleme. Shkrimtari Skënder Hasko përmend ndër to pseudoautorët, plagjiaturat, temat monotone. Problem më vete është për të lista jashtëshkollore që është ndërtuar në bazë të "miqësive" dhe ka lënë jashtë libra e autorë shumë të mirë e me tituj. "Festa e sotshme është rast për të tërhequr vëmendjen drejt tyre", - thotë drejtoresha e QKKF-së, Ardita Rrepishti, duke shtuar se në programin e kësaj qendre është edhe promovimi i letërsisë së autorëve shqiptarë, duke nxitur lexuesit e vegjël drejt tyre me anë të leximeve, pikturës, këngës e inskenimeve.

Çfarë përvoje është të shkruarit për fëmijë?

Letërsia për fëmijë është art i fjalës si edhe ajo drejtuar të rriturve, por ka disa parime bazë, disa kërkesa që duhen pasur parasysh kur shkruhet për fëmijë. Të mos harrojmë moshën, së cilës i drejtohemi. Është një ushqim shpirtëror, i cili i drejtohet një kategorie të caktuar. (Në tryezë jo të gjithë mund të konsumojnë të njëjtin ushqim). Përkundër letërsisë për të rritur, ajo për të vegjël ka katër shtylla të domosdoshme që duhen ndjekur, që janë karakteri edukativ, argëtues, njohës dhe pa dyshim cilësia artistike. Në botë domosdoshmëria e letërisë për fëmijë u zbulua shumë herët, por tek ne ajo nisi me Naim Frashërin, Kostandin Kristoforidhin, Andon Zako Çajupin, etj. Dhe ne jemi pasues të tyre.

Çfarë problemesh e shqetësojnë një shkrimtar për fëmijë?

Ç'është e vërteta letërsia për fëmijë ka ecur mirë. Nuk e mohoj që ka qenë ca "rrëmujë" në fillim të viteve '90, ashtu si çdo fushë tjetër e artit, por tani e ka marrë sërish veten. Shkruhet shumë e botohet shumë, por këtu ka edhe një problem. Se u "sulën" të shkruajnë libra për fëmijë edhe njerëz që nuk e njohin këtë lloj letërsie, që nuk njohin psikologjinë dhe botën e fëmijëve. Nuk lënë mbresa, janë monotonë. Figurat artistike që përdorin nuk janë të goditura… Nuk mungojnë rastet e vjedhjeve të veprave të autorëve të huaj, të cilëve u hiqet emri. Ky është një fenomen që nuk duhet të ekzistojë, aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijë. Për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi autorët dhe ligji duhet të jetë i rreptë me ta.

Në ç'drejtim ka ndryshuar kjo lloj krijimtarie nga ajo e para '90-ës?

Sigurisht që ka edhe tendenca të reja, por ndodh që kalohet edhe në ekzagjerime, apo fantazmagorira. Flitet shumë për çensurën në letërsi, apo imponimet gjatë viteve të diktaturës, por mua, që kam shkruar 50 libra nuk më ka ndodhur të më marrin në telefon e të më imponojnë të shkruaj për partinë, apo të tilla tema. Për raste festash edhe kërkohej ndonjë poezi për partinë, por më së shumti mendoj se ishte një kategori shkrimtarësh e prirur drejt kësaj tematike.

Çfarë duan fëmijët?

Aventura zë vendin e parë në temat e preferuara të fëmijëve. Ajo është baza e kësaj letërsie. Prandaj pëlqehen edhe përrallat sepse në to mund të bësh ç'të duash, veçse duhet gjetur edhe një çelës besueshmërie, kur flitet për personazhe njerëz. Tjetër element i domosdoshëm në letërsinë për fëmijë është humori. Fëmijët duhet të edukohen me ndjenjën e së mirës, por larg moralizimeve.

Është e vërtetë që shitet mirë libri për fëmijë?

Librat për fëmijë janë më të shiturit. Por tek "konsumimi" i kësaj letërsie është faji i prindërve, jo i fëmijëve. Si ish-mësues, por edhe si gjysh kam parë që fëmijët janë shumë të interesuar drejt leximit. Madje mund të them që lexohet më shumë nga të vegjëlit, se sa nga të rriturit.

Vihet re se më të pëlqyerit janë titujt që përfshihen në listën e detyrueshme për orët letrare. Ju duket i drejtë ky orientim?

Nuk hyj tek partizanët e kësaj liste, madje e kam kundërshtuar atë, sepse kam vënë re që aty mungojnë libra dhe shkrimtarë që kanë fituar tituj kombëtarë e ndërkombëtarë, por bordi që ka krijuar këtë listë as e di ekzistencën e këtyre librave. Nuk mund të bësh letërsi me miqësi e të njohur. Kjo listë më shumë dëmton se sa ndreq. Në këtë pikë nuk e ka fajin as mësuesi e as prindi. Ky është një program i detyruar. Është çështje që e kemi ngritur, madje në rrugë zyrtare, por nuk na e ka vënë veshin njeri. Fatkeqësisht shkrimtarët për fëmijë nuk "ndihen". Bota i vlerëson shumë shkrimtarët e vet, sepse kjo lloj letërsie nuk është e thjeshtë. Ndërsa këtu janë jashtë vëmendjes të të gjithë pushtetarëve, pavarësisht ngjyrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›