E Shtunë, 31 Tetor 2026

Scheffer: Shqipëria merr ftesën për në NATO

 

Sipas kreut të Aleancës së Atlantikut, ftesa për vendet e A3 do të përbënte një element të rëndësishëm për të çuar para stabilitetin në rajon

 

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap Hop de Scheffer ka shprehur dje optimizmin e tij, që rezultati i Samitit të Bukureshtit do të jetë dërgimi i ftesave për vendet e Kartës së Adriatikut: Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Një ditë para nisjes së Samitit të Bukureshtit, Scheffer ka folur për ngjarjet e pritshme në këtë samit në një të përditshme rumune, ku ka deklaruar se, ai shpresonte që rezultati të jetë ftesa për të tre vendet. "Unë shpresoj, dhe e theksoj fjalën shpresoj, që rezultati të jetë ftesë për Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë",- është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Po ashtu, sipas kreut të Aleancës së Atlantikut, ftesa për vendet e A3 do të përbënte një element të rëndësishëm për të çuar para stabilitetin në rajon. "Një zgjidhje dhe një ftesë për tre këto vende, do të ishte një element i rëndësishëm për të çuar para stabilitetin në rajon", ka deklaruar Scheffer, në intervistën dhënë për gazetën rumune. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është ndalur dhe në ftesën që pret të marrë Maqedonia për anëtarësim, duke pohuar se është vendi që rrezikon më shumë, për shkak të kundërshtimit të Qeverisë Greke për emrin e këtij vendi. Edhe pse mes dy vendeve mundësia e kompromisit për emrin e Maqedonisë duket e paarritshme, sekretari Scheffer ka theksuar se, edhe 72 orë mjaftojnë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje. "Përvoja më mëson se edhe 72 orë janë të mjaftueshme për gjetjen e zgjidhjeve politike" është shprehur ai. Ditët e fundit, nga zyrtarë të NATO-s dhe vendeve të Aleancës janë dhënë sinjale pozitive lidhur me marrjen e ftesës për anëtarësim të vendit tonë. Një ditë më parë, ka qenë zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apathuraj ai që ka qetësuar opinionin publik se, ngjarja tragjike e ndodhur në Gërdec nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e vendeve dhe qeverive anëtare të NATO-s. Sipas tij, ngjarja është pranuar si një incident tragjik dhe Aleanca ka qenë në dijeni të problemeve të Shqipërisë më municionet.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›