E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat, Berisha përjashton firmat e PS

Kompanitë që do të marrin pjesë në një tender, duhet që të kenë pasur një eksperiencë në të tilla punime gjatë 4 viteve të fundit
Kriteret e reja
Qeveria zgjedh firmat që do marrin tendera
Berisha: Punë me 2-3 turne, për të gjitha kompanitë që do të marrin pjesë në ndërtimin e rrugëve
Të gjitha kompanitë shqiptare që do të marrin pjesë në tenderat publikë të realizuara nga ana e Ministrisë së Transporteve, do të klasifikohen në bazë të një rregulloreje të re të miratuar gjatë ditës së djeshme nga ana e qeverisë. Sipas kësaj rregulloreje te re, janë përcaktuar edhe një sërë kriteresh shtesë që do të duhet të plotësojë një firmë, për të marrë pjesë në një tender publik. Shkak për miratimin e kësaj rregulloreje nga ana e qeverisë janë bërë realizimet tepër të ulëta të buxhetit të shtetit gjatë vitit 2007, që sipas Berishës, kanë ardhur për shkak të mungesës së kapaciteteve të firmave të ndërtimit. Rregullorja e re bën një diferencim midis kompanive shqiptare dhe atyre të huaja, duke e përdorur kriterin e ri vetëm për firmat shqiptare.
Kriteret, firmat me mandat politik
Sipas rregullores që përcakton kushtet dhe kriteret për klasifikimin e subjekteve ndërtuese që operojnë në fushën e zbatimit të punimeve të ndërtimit, një kompani që konkurron për të fituar një tender, duhet që të ketë pasur një eksperiencë të ngjashme në punime brenda 4 viteve të fundit. Sipas këtij kriteri, kompania brenda 4 viteve të fundit duhet që të ketë një projekt në historikun e saj jo vetëm të ngjashëm për nga ngjashmëria e punimeve, por edhe volumi i tyre dhe vlera financiare. P.sh., në një rast kur një kompani konkurron për një tender në ndërtimin e një rruge në vitin 2008 me një vlerë punimesh prej 3 milionë euro, kjo kompani duhet që të ketë realizuar në periudhën 2004-2008 të paktën një volum të tillë punimesh, që shkon në rreth 3 milionë euro. Nga ana e Shoqatës së Ndërtuesve është kërkuar që afati të zgjatet në 5 vjet, pasi periudha 4-vjeçare e vendosur në këtë rregullore vlerësohet si diskriminuese për një pjesë të kompanive që nuk kanë arritur të marrin dot tendera gjatë mandatit politik të një qeverie. "Janë një sërë firmash ndërtimi me kapacitete të mëdha, që kanë ndërtuar vepra të përmasave të ndryshme publike, por që gjatë periudhës së qeverisjes së djathtë nuk kanë mundur që të marrin tendera në punët publike. Sipas kësaj rregulloreje të miratuar gjatë ditës së djeshme nga ana e qeverisë, viti i ardhshëm i skualifikon përfundimisht këto firma nga pjesëmarrja në tenderat publikë, pasi plotësohet afati 4-vjeçar ,që përbën edhe kriterin kryesor të kësaj rregulloreje",- bëjnë të ditur burime pranë Shoqatës së Ndërtuesve.
Bizneset përfituese
Përputhja e plotë e afatit 4-vjeçar të kriterit të marrjes pjesë në tendera dhe të mandatit politik të një qeverie, sipas legjislacionit shqiptar, ka bërë që ndërtuesit të jenë kundër kësaj nisme. Por nga ana e qeverisë vendimi është vlerësuar shumë i rëndësishëm, ndërsa burime nga Shoqata e Ndërtuesve bëjnë të ditur se qeveria ka kërkuar që të ngushtojë këtë afat akoma më shumë, duke e lënë vetëm 3 vjet. Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së djeshme e cilësoi vendimin të rëndësishëm, për t'i dhënë fund praktikës së rendjes pas tenderave jashtë kapaciteteve ndërtuese dhe që sjell pasoja serioze në realizimin e investimeve. "Sot, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit paraqet në qeveri një vendim shumë të rëndësishëm, që bën të mundur finalizimin e një lloj kaosi, të bazuar në etjen për fitim, që është krijuar nga kompani të caktuara që preferojnë të fitojnë tre tendera, edhe pse nuk kanë mundësi të fitojnë as për të parin. Kjo praktikë është e domosdoshme të marrë fund",- tha Berisha. Duke risjellë në vëmendje një nga vendimet e para të qeverisë, ngritjen e tavanit të pjesëmarrjes në tender nga 2 në 10 milionë lekë për kompanitë vendase, Berisha deklaroi se, krahas efekteve shumë pozitive, atë të fuqizimit të kompanive të ndërtimit, është shfaqur edhe fenomeni i pjesëmarrjes në tendera larg aftësive ndërtuese të disa kompanive. "Shqipëria sot ka kompani ndërtimi shumë më të fuqishme se dy vjet më parë. Por krahas këtij fenomeni, është shfaqur edhe fenomeni tjetër, rendja pas tenderave larg dhe jashtë kapaciteteve reale ndërtuese të disa prej tyre. Kjo ka pasoja shumë serioze në realizimin e investimeve. Rruga në ndërtim është një proces i mundimshëm për qytetarët. Një rrugë që vonon, është një rrugë që shton, përveç të tjerash, vuajtjet dhe dhimbjen e atyre që udhëtojnë",- tha Berisha.
Qeveria i rikthehet vendimeve të çuditshme, cakton oraret e punimeve për biznesin e ndërtimit
Berisha: Tenderat, vetëm nëse punoni me 3 turne
Qeveria i është kthyer vendimeve që duken të vështira për t'u besuar, në kushte në të cilat është zbatimi i afateve të punimeve dhe koha e disbursimit të fondeve në vend. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë "Berisha", është bërë e ditur se të gjitha kompanitë që duan të marrin tendera publikë, duhet të punojnë me 3 turne. Sipas vendimit të marrë dje nga ana e qeverisë, përcaktohet se nga 22 marsi deri më 22 tetor që kompanitë e ndërtimit të rrugëve dhe të veprave të tjera publike të punojnë në ndërtimin e veprave të larta, me 2 turne, dhe në ndërtimin e rrugëve dhe ndërtime të tjera, me 3 turne. Berisha e vlerësoi vendimin të domosdoshëm për të përshpejtuar ritmet e përfundimit të veprave publike. "Ne,- tha Berisha,- jemi një vend me kohë të humbur. E përkthyer në kuptimin e zhvillimit, do të thotë me zhvillim të mangët. Asnjë komb tjetër nuk ka nevojë më shumë se ne ta përshpejtojë procesin. Ata që i kanë rrugët, nuk rendin mbas tyre, ndërsa ne duhet t'i ndërtojmë. Dhe kështu edhe në një seri procesesh të tjera. Ndaj është imperative t'i shpejtojmë këto procese".
Ndërtuesit: Caktimi i orareve, absurd
Vendosja e orareve të punës nga ana e qeverisë për kompanitë private, vlerësohet nga ana e ndërtuesve si një akt i pakuptimtë dhe që nuk haset në asnjë legjislacion perëndimor. Sipas ndërtuesve shqiptarë, firmave që marrin përsipër që të ndërtojnë vepra publike i caktohen afate sipas kritereve teknike të projekteve, por atyre nuk mund që t'i përcaktohet orari i punës. Një vendim i tillë, sipas tyre, është edhe më i diskutueshëm, në një kohë që cilësia dhe shpejtësia e punimeve varen në shumicën e rasteve nga teknologjia që në zotërim firma dhe burimet e saj njerëzore, që janë edhe faktorët kryesorë të produktivitetit. Ndërtuesit sqarojnë se një kompani mund të punojë me tre turne dhe mund që të ketë të njëjtat rezultate në afate si edhe një firmë tjetër që punon me një turn, por që ka një produktivitet disa herë më të larta në mekanikë dhe në burime njerëzore.
+++
Berisha "shkund" Drejtorinë e Rrugëve
Ky Autoritet, sipas kryeministrit Berisha është larg nivelit që kërkon koha dhe zhvillimi i vendit
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, që ka pasur në qendër të saj problematikën në investimet publike, Berisha ka sulmuar Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve duke e cilësuar këtë institucion si jashtë kërkesave të kohës "Ky Autoritet është larg nivelit që kërkon koha. Shuma që ky Autoritet merr sot për t'u administruar, është shumë herë më e madhe se ajo që merrte dy-tre vjet më parë, por Autoriteti nuk ka arritur të përshtatet me këtë shumëfishim të investimeve. Nga ana tjetër, Autoriteti i Rrugëve duhet të riorganizohet tërësisht. Në rast se ky Autoritet do të ishte në lartësinë e detyrës dhe do të ndiqte me rigorozitet zbatimin e ligjeve, kam bindjen më të madhe se kontributi i tij do të ishte shumë më i madh. Pa një reformë të thellë, e cila duhet të studiohet mirë, ky Autoritet nuk do të mund t'i përgjigjet kërkesave",- tha Berisha. Reformimi i këtij Autoriteti, deklaroi Berisha, nuk synon pakësimin e kompetencave, por qartësimin e tyre. "Në formën e organizmit të tij absolutisht është vetë gjykatës, vetë prokuror. Nuk jam për t'ia pakësuar kompetencat, por për t'ia kthjelluar",- u shpreh Berisha. Berisha kërkoi që ristrukturimi i këtij Autoriteti të bëhet mbi bazën e një studimi të thelluar, për t'i dhënë përgjigje të gjitha problematikave të vërejtura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›