Tërhiqet Berisha, heq TVSH-në për shtypin e huaj
Botuesit e huaj deklaruan pak ditë më parë se do të përjashtonin Shqipërinë nga shpërndarja e shtypit të huaj
TVSH-ja u vendos edhe për të gjitha institucionet arsimore private në vend
Qeveria është tërhequr nga vendosja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për shtypin periodik të huaj. Vendimi është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme nga ana e kryeministrit Berisha, pas deklaratave të bëra gjatë ditëve të fundit, nga ana e botuesve të huaj dhe shoqatave të ndryshme të shpërndarjes. Vetëm pak ditë më parë, botuesit e huaj deklaruan se do të bllokojnë shpërndarjen e gazetave dhe revistave që ata sjellin në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga Associated Press dhe sipas këtij njoftimi, shkak për këtë vendim ekstrem të botuesve të huaj dhe distributorëve të tyre, është bërë futja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga ana e qeverisë shqiptare. Peter Emond, Drejtor i Agjencisë Distripress, në Zurich, i ka dërguar një letër presidentit Bamir Topi ku i ka kërkuar që të mos ratifikojë ligjin për futjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në gazetat dhe librat e importit. Kopja e letrës është botuar edhe nga ana e Associated Press. Ligji i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, rrit me 20% çmimin e produkteve të shtypit që vijnë nga importi. Por sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Distributorëve, një masë e tillë mund t'i detyrojë ata që të tërhiqen nga Shqipëria, duke bërë që vendi të mbetet njësoj si para viteve '90, kur ishin të ndaluara të gjitha botimet e huaja. Ligji i ri për futjen e TVSH-së ka një efekt negativ edhe në rastin e librave të importit, duke bërë që ata të kenë një çmim më të lartë. Por nuk janë vetëm Botuesit dhe Shpërndarësit më të mëdhenj Ndërkombëtarë që e kanë vlerësuar si absurd këtë ligj. Rreth 100 intelektualë shqiptarë i kanë dërguar një letër presidentit Topi, ku i kanë shprehur edhe shqetësimet e tyre, në lidhje me këtë ligj antikulturë. Nga ana e tyre, botuesit shqiptarë kanë realizuar një takim me presidentin Topi ku i kanë kërkuar edhe abrogimin e këtij ligji. Botuesit argumentuan se kjo masë e nxituar do të sillte efekte negative, në radhë të parë, për lexuesit shqiptarë, sepse do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve dhe, si rrjedhojë, uljen e lexueshmërisë.