E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat, pushohet padia e Luan Hoxhës

TIRANE - Gjykata e Tiranës pushoi dje padinë e ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë Gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. 

Objekti i padisë së Hoxhës ishte revokim i dy urdhrave të ministrit të Mbrojtjes që mbajnë numrat 10.077 dhe 10.077/1, datë 7 dhjetor 2006 për zhdëmtimin e disa pagesave që ky kishte përfituar si pasojë e gradës. Padia e Hoxhës, ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, ishte depozituar pak muaj më parë në gjykatë, para se ky të shkarkohej nga kreu i shtabit të ushtrisë shqiptare. Në seancat e para të procesit Hoxha u paraqit vetë në gjykatë i shoqëruar nga një jurist i shtabit. Ndërkohë pala tjetër, Ministria e Mbrojtjes përfaqësohej nga juristët e vet. Në fillim të procesit gjyqtari i çështjes Agron Zhukri i pohoi kryeushtarkut Hoxha se, padia e tij kishte të meta dhe se duhej të plotësohej para se të niste shqyrtimi i saj. Ndërsa rrëzimi i padisë sipas burimeve nga gjykata, u bë me argumentin se ishte ngritur jashtë afatit ligjor. Gjeneral, Hoxha ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm nuk ishte dakord me një urdhër të institucionit të mbrojtjes, i cili e urdhëron të kthejë një shumë të konsiderueshme parash, të cilat i ka përfituar padrejtësisht, sipas një kontrolli të ushtruar kohë më parë nga KLSH-ja dhe që e evidentonte si shkelje marrjen e këtyre parave. Ministria i kishte kërkuar Hoxhës që të kthejë shumën e përfituar nga pjesëmarrja në komisionet për tenderime.                fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›