E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, rrufeja lë bregdetin 14 orë në errësirë e etje

Ka mjaftuar një rrebesh shiu shoqëruar me vetëtima, për të lënë një pjesë të mirë të bregdetit të Vlorës pa energji për 14 orë. 

VLORE / QEMAL BIRAKU

Një shkarkesë rrufeje rreth orës 20:00 të së martës solli një defekt të rëndë në stacionin elektrik, i cili furnizon zonën e bregdetit nga Skela deri në Orikum.
Ndërprerja e energjisë elektrike preku edhe një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Vlorës. Me gjithë përpjekjet e ekspertëve të elektrikut nuk është mundur të sillen dritat përgjatë natës. Madje dhe të nesërmen janë dashur disa orë punime deri në riparimin e defektit. Situata më shqetësuese është bërë në zonën bregdetare, ku mijëra turistë vendas e të huaj vuajtën errësirën. Disa nga hotelet dhe lokalet mundën të punojnë me gjenerator. Por të tjerë nuk e patën këtë "luks" për shkak të çmimit të lartë të karburantit. Të ndodhur para kësaj situate, turistët u detyruan të kalojnë 14 orë pa energji, pa ujë, pa pije freskuese si dhe një natë të sikletshme për shkak se në dhoma nuk kishte sistem tjetër ftohjeje. Përfaqësuesit e ndërmarrjes elektrike pohuan se, mosfurnizimi me energji i një pjese të konsiderueshme të qytetit, si dhe të zonës bregdetare ishte pasojë e një defekti të rëndë, që ka ndodhur në stacionin elektrik, në zonën e "Kalasë". Nga ky nënstacion furnizohet zona e bregdetit dhe një pjesë e qytetit. Si pasojë e shkarkimeve atmosferike është djegur edhe një transformator tjetër. Po për shkak të mungesës së energjisë elektrike një pjesë e konsiderueshme e zonës turistike si dhe e qytetit nuk janë furnizuar me ujë të pijshëm. Pompat e ujit në zonën e "Kalasë" nuk janë vënë në punë, sepse furnizohen me energji nga nënstacioni elektrik që kishte defekt. Pushuesit janë ankuar për këtë situatë të krijuar, ku ata u detyruan të kalojnë një natë pa drita, pa ujë e pa sistem ftohje. Pronarët e bizneseve, të cilët kishin marrë premtimin e elektrikut se, nuk do të mungonte energjia gjatë sezonit veror, nuk kishin marrë shumë masa për të përballuar një situatë të tillë. Të zënë në befasi, ata vetëm sa kanë shpresuar se ndërprerja e dritave do të ishte për një kohë të shkurtër. Por me gjithë përpjekjet e bëra, defekti në nënstacion është riparuar vetëm ditën e nesërme, kur sahati i kishte kaluar akrepat e orës 10:00.

Korenti ngordh kopenë

LIBRAZHD - Një stuhi gjatë orëve të drekës la dje pa energji disa fshatra në Librazhd, pasi u shkul shtylla e tensionit. Rënia e shtyllës për pak ka marrë jetën e një bariu, i cili për fat të mirë ishte strehuar poshtë një peme për t'i shpëtuar rrebeshit. Megjithatë, bariu ka pësuar dëm të madh, pasi kopeja e tij me 33 krerë dele i ngordhi. Sipas policisë, e cila mbërriti në vendngjarje, telat e korrentit ranë mbi kope, duke djegur të gjitha delet. Janë dashur disa orë që specialistët e elektrikut të riparojnë defektin dhe fshatrave të komunës Hotolisht në këtë rreth t'u rikthehen dritat.

Dallgët kthejnë pas anijen

SARANDE - Moti i keq dhe deti me dallgë kthen pas anijen turistike. Një anije e tipit velierë, e ankoruar në Gjirin e Sarandës dhe dy kroçiera të përmasave të mëdha kanë sjellë përkatësisht 818 dhe 163 turistë të huaj në bord. Por ky numër mund të ishte edhe më i lartë nëse 640 turistët që kishte në bord kroçiera e tretë e kësaj dite, "Oceania Cruise", nuk do të largohej. Ajo nuk ka hedhur spirancë, pasi sipas Kapitenerisë së Sarandës nuk mundej për shkak se dallgëzimi i detit ishte i madh, ndërsa hapësira e ngushtë e Portit nuk mundëson ankorimin e mjeteve të mëdha lundruese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›