E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetjet tona retorike

Shumë pyetje (jo thjesht e vetëm të artikullshkruesit) mund të tingëllojnë naive. Por e vlen t'i bëjmë; më mirë ashtu sesa të shkojmë e të vijmë si nëpër mjegull, duke bërtitur në mënyrë demagogjike për reforma të shkëlqyera, për administrata që punojnë "me kapacitet të plotë", për ftesa anëtarësimi në organizma me të cilët, hë për hë, na ndajnë jo pak gjëra të rëndësishme. Pikërisht, një nga këto pyetje është edhe kjo që vijon: A e kemi seriozisht? Pra, bërjen e reformave, bashkimin me Evropën, rindërtimin e një jete në ekonomi tregu e demokraci... Pas gati shtatëmbëdhjetë vjetësh tranzicion e reforma të paprera dhe (shpeshherë) të pafrytshme, me të njëjtët politikanë në krye, me të njëjtat parime e paragjykime si dikur, me të njëjtat probleme balte, dritash e uji, a mund të quhet e përshkuar rruga nëpër të cilën kemi kërkuar fatin tonë evropian? A e kemi seriozisht?
Fjala është, a e kanë seriozisht, më së pari "Njerëzit e vitit", që vazhdimisht kanë marrë mandatin e qytetarëve për të qeverisur këtë vend. Le të bëjmë një marrëveshje. Nuk ka asgjë të keqe se bëhen ca sondazhe; fundja edhe që në to, prapë dalin në krye politikanët. Nga ana tjetër, nuk është e udhës të flakësh vite të tëra, pa vlerësuar disa arritje; dhe as nuk i flak dot. Por e vërteta është që përgjithësisht po vrapojmë si nëpër ëndërr; që minimumi jetik është për të qeshur e për të qarë; që të ardhurat për frymë kanë qenë dhe mbeten më modestet në rajon. Dhe "Njerëzit e vitit" janë kaq dogmatikë të shkretën, janë kaq falsë! Shumica asish, meqë ra fjala, bukur kanë rregulluar gjer më tani vetëm jetën e tyre private: kanë marrë pronat që iu përkisnin, i kanë shtuar, në mos shumëfishuar ato, kanë apartamente e vila në kryeqytet dhe në vende turistike, kanë biznese (që rëndom ua kontrollojnë anëtarët e familjes), kanë pjesë në kompani të mëdha apo industri të ringritura falë privatizimeve të kontestueshme a përfitimeve nga kompanitë huamarrëse. Nëse e kanë seriozisht, përse nuk merren po kësisoj edhe me kthimin dhe kompensimin e pronave? Është një nga detyrimet kryesore për t'iu bashkuar NATO-s dhe BE-së. Më e pakta, vetëm në javët e fundit të vitit që sapo mbyllëm, kanë formuluar vërejtje serioze në këtë temë Presidenti i vendit, Bamir Topi dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Që të dy, krerë të partisë në pushtet. A nuk tingëllojnë të çuditshme këto thirrje nëpër mjegullën për të cilën folëm më lart? Nëse e kemi seriozisht përfshirjen në rrjedhat e jetës evropiane, përse nuk i vëmë fre apo më e pakta, përse nuk përpiqemi t'iu vëmë fre hakmarrjeve dhe gjakmarrjeve? Mandej, përse nuk shqetësohemi edhe njëherë, së paku edhe njëherë, për çarmatimin e popullatës? E kemi shkruar edhe më parë, prej disa vitesh, problemi i armëve nuk zihet me gojë. Nuk shihet asnjë aksion i policisë apo strukturave vendore, kontrolle, nisma, gjëra të tilla që do të mund ta minimizonin fenomenin; në këtë temë, ne jemi me të vërtetë më të lirë, ne e kemi fituar lirinë, madje ne po e dreqosim lirinë.
Le ta zgjerojmë edhe më argumentin. Nëse e kemi seriozisht përse nuk ndërmarrim hapa konkretë për kapitalizmin e ekonomisë? Përse nuk i privatizojmë ndërmarrjet e mëdha shtetërore? Dikur është thënë e shkruar bukur se si do të zhvillohet vendi: stimulimi i ekonomisë shqiptare përmes përdorimit të burimeve njerëzore dhe natyrore; mbështetja dhe zhvillimi i mëtejshëm i sektorit privat; tërheqja e investitorëve strategjikë e financiarë; krijimi i kushteve të tregut të kapitalit; përgatitja dhe zhvillimi i shpejtë dhe eficient i procesit të privatizimit në të gjithë sektorët. Privatizimet kryesore në Shqipëri aktualisht kanë të bëjnë me sektorët strategjikë, siç thuhet, Energjetikën dhe Hidrokarburet. Gjithnjë sipas atyre çka shkruhen për së bukuri, në lidhje me energjetikën, është fjala për privatizimin e Sektorit të Shpërndarjes së Energjisë në KESH, si dhe sektorët e tjerë të korporatës, (në një kohë tjetër). Për hidrokarburet: privatizimi i shoqërisë ARMO përmes formës së koncesionit, (sipas këtyre informacioneve, në proces që në vitin 2004); ristrukturimi dhe privatizimi i "Albpetrol"-it, e të tjera e të tjera. Por ç'mund të thuhet për Sektorin e Energjetikës? Edhe në ditët e tij më të mira, nuk mori njeri mundimin ta privatizonte KESH-in. E si mund të themi se "e kemi seriozisht" kur përmbi 50 për qind e përdoruesve të energjisë elektrike nuk paguajnë? E njëjta histori për naftën, që sërish përbën një rebus të madh; ajo që nuk privatizohet, kontrollohet nga njerëzit e pushtetit. Struktura të tij, në mënyra të ndryshme, në të gjitha kohët, vazhdojnë të shfrytëzojnë këto burime të mëdha, këto pasuri që për fat të keq mbajnë etiketën që na rrëfen se ato i përkasin popullit, por në të vërtetë janë të partive politike, më e pakta, të klaneve që drejtojnë ato dhe Shqipërinë.
Kemi pasur rastin të shprehemi edhe më parë në lidhje me raportet, studimet, të cilat duhen parë në sy, por edhe me njëlloj rezerve. ("Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita/ Gjel, rren a s'rren? Cila asht fjala e jote?", pyet Migjeni tek "Nji natë pa gjumë"). E kështu, nuk mund t'i shkosh përanash një studimi të fundit të Forumit Ekonomik Botëror, që bën fjalë për renditje të padëshiruara; për turizmin renditemi diku nga fundi përsa i takon rregullave mjedisore (vendi 131) apo infrastrukturës (vendi 124); të fundit përsa i takon novacionit, (termin le ta shqipërojnë këshilltarët e qeverisë); në vendin e 114 për treguesit e institucionit. Më parë, raporte të tjera kanë përcaktuar për ne vende gjithaq modeste përsa i takon varfërisë e korrupsionit. Në prag të Vitit të Ri, u sulën të gjithë, politikanë e media, në Baldushk, tek halli i madh i një familjeje fatkeqe. Mirë e bënë. Por sa baldushqe të tjera ka në këtë vend dhe a i dilet vetëm me bamirësi? Pyetjet tona retorike janë të shumta.
Megjithatë, në krye të sondazheve për "Njeriun e vitit" janë politikanët. E ndërkohë ikin vitet. "Medet! S'ka gjë më të vogël se njerëzit tanë të mëdhenj!", ka thënë Bethoveni. Por ne, të vegjël e të mëdhenj, ziejmë në një kazan kur vjedhim, kur s'paguajmë dritat, kur vrasim, kur gënjejmë, kur propagandojmë sukseset që kurrkush në planet s'i ka mbërritur(!) Ne, (më së pari "Njerëzit e vitit"), do të bënim mirë të vëmë këmbët në tokë, të pranojmë hallet e mëdha që kemi, të çarmatosemi se lamë kokrrën e namit duke u vrarë, të paguajmë taksat dhe shërbimet, që në ekonominë e tregut quhen "mall", "të zhveshim" të korruptuarit me vepra dhe duke filluar nga vetja apo nga "tanët", të gjejmë gjuhën e mirëkuptimit për punë të mëdha si "Rruga Durrës-Kukës", TEC-et, e kështu me radhë. Që këtu po, do të ishte më e lehtë t'i hiqnim pyetjet tona retorike nga mjegulla dhe t'i shndërronim në një lëndë konkrete, pse jo në faktor nxitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›