Iran, avioni pushtohet nga flakët, plagosen 42 pasagjerë
Incidenti
Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit që fatmirësisht nuk shkaktoi viktima
Të paktën 42 persona kanë mbetur të plagosur në Iran, kur një avion është pushtuar nga flakët gjatë uljes në aeroportin e Mashhad, në verilindje të vendit. Lajmi është konfirmuar nga agjencia vendase, “Irna”. Pjesa më e madhe e pasagjerëve ka marrë plagë të lehta, deklaroi Reza Jafarzadeh, zëdhënëse e Aviacionit Civil, duke shtuar më tej se shkaqet e aksidentit nuk janë sqaruar ende. Avioni, një “Tupolev-154” i kompanisë iraniane “Taban Air”, kishte në bord 157 pasagjerë dhe vinte nga Abadan, në jugperëndim të Iranit. Avioni duhet të ulej në qytet që një ditë më parë, por kushtet e këqija atmosferike e kanë detyruar atë që të bëjë një ndalesë në Isfahan. Dje në mëngjes avioni ka kërkuar të ulet për shkak të një pasagjeri në bord që kërkonte ndihmë mjekësore urgjente, edhe pse kushtet e shikueshmërisë ishin ende shumë të këqija. Në fakt, Irani është një vend ku historitë e tragjedive ajrore nuk janë të rralla. Në 10 vitet e fundit kanë ndodhur më shumë se 15 të tilla, duke shkaktuar më shumë se 900 të vdekur. Zakonisht pre e aksidenteve janë bërë avionët e vjetër të prodhimit rus. Për shkak të embargos amerikane, Teheranit nuk i lejohet blerja e avionëve të rinj “Boeing” apo “Airbus”, apo pjesë të ndryshme këmbimi. Tragjedia e fundit ndodhi më 15 korrik të vitit 2009, kur një tjetër “Tupolev-154” i “Caspian Airlines” u rrëzua duke shkaktuar vdekjen e 168 personave që gjendeshin në bord.
#