Tenis - Kupa Hopman

Gjithçka shkoi sipas logjikës edhe pse ishte çmenduria që zotëroi fillimisht në kompleksin e tenisit në Perth. Serbia mundi Australinë vendase, 2-1, në raundin e dytë të ndeshjeve të Kupës Hopman, grupi A, veçse numri 1 i botës, Novak Gjokoviç, pësoi një humbje të papritur.
Serbi u mund 2-0 me sete nga australiani me origjinë kroate, Bernard Tomiç, një gjigand 20-vjeçar me shtatlartësi 1.96 metra. Tomiç fitoi me rezultatin 6-4 e 6-4, veçse bukuroshja Ana Ivanoviç ia doli të barazpeshonte përballjen.
Ivanoviç theu lehtësisht 2-0 me sete Eshli Bartin, duke i fituar setet 6-2 e 6-3 e, pas barazimit në ndeshjet teke, Serbia triumfoi në përballjen e çifteve. Ishin sërish Ivanoviç e Gjokoviç që mundën australianët Barti e Tomiç.
Me 2 fitore e asnjë humbje, Serbia kryeson grupin A, ndërsa Italia ka shpresa po në këtë grup pasi fitoi 2-1 ndaj Gjermanisë.
Tomi Has mundi 2-0 italianin Sepi, me dy sete tepër të fortë të përfunduar njëlloj 7-6.
Më tej Françeska Skiavone barazoi rezultatin në 1-1 duke thyer gjermanen Tatjana Malek, 2-1 me sete.
Së fundi, Skiavone e Sepi fituan 2-0 ndeshjen e çifteve ndaj Malekut e Hasit dhe Italia ka 1 fitore e 1 humbje, ashtu si Australia. Gjithçka do të vendoset në ndeshjen mes tyre.
Në grupin B, favoritë për finalen e së dielës janë Spanja e SHBA që kanë nga 2 fitore në 2 ndeshje.