Tension brenda e jashtë Kuvendit, Topalli replikon me Ruçin
Kryetarja e Kuvendit akuzon Ruçin se ka vrarë njerëz në kufi. Ruçi: Isha ministër kur u përmbys një sistem pa viktima. Për largimin e Berishës në 97-ën u vranë 4 mijë njerëz
Seanca e sotme në Kuvend nisi me tensione përpara sallës plenare. Të verbëri dhe paraplegjikët ishin grumbulluar përpara në shenjë proteste për ndryshimet që do bëjë qeveria në ligjin e tyre. Sipas projektligjit, do të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë masën e rimbursimit për shërbimet që më parë ishin përfshirë në ligj. Tashmë shërbime si ngrohja e telefonia do të përcaktohen me akte nënligjore nga Këshilli i Ministrave, gjë që është kundërshtuar nga të verbrit e paraplegjikët. Policia nuk ka lejuar që paraplegjikët të vendosin një podium përpara Kuvendit, çka ka sjellë tension dhe përplasje me policinë. Ndërkohë paraplegjikët e të verbrit e Shkodrës thonë se policia nuk ka lejuar që ata të vijnë drejt Tiranës, duke u bllokuar autobusët.
Por tension ka pasur edhe në seancë ku po diskutohej për ndryshime në ligjin për pronat. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka sulmuar ashpër kryetarin e grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, duke thënë se nuk mund të qajë me lot krokodili ministri i fundit i komunizmit, që u mori pronën shqiptarëve për 50 vite. Për më tepër, Topalli e ka akuzuar Ruçin për vrasjen e katër adoleshentëve në kufi. Ajo tha se trupat e tyre u shëtitën në Shkodër.
Ruçi tha se kjo histori është e padëgjuar më parë. Unë kam lidhje me këtë histori sa çka edhe Sali Berisha, tha ai. Ruçi deklaroi se ishte ministër në periudhën kur u përmbys një sistem dhe askush nuk u vra. Ndërsa për largimin e Berishës në vitin 1997 u vranë 4 mijë njerëz. Ai njeri vrau edhe pas 21 vitesh 4 persona, tha Ruçi. Ai shtoi se votat në atë kohë u numëruan secila, në çdo zonë, edhe në atë të Ramiz Alisë. Ruçi po ashtu deklaroi se ka qenë Berisha që nuk ka pranuar peticionin për lirimin e të burgosurve politikë, kurse vetë ai ka mbledhur 1500 firma për këtë çështje.
Edhe ministri i Punës, Spiro Ksera, ka hedhur akuza ndaj Ruçit për vrasjen e njerëzve në kufi. Kurse Ruçi i tha të shihte të verbrit dhe paraplegjikët që protestonin. Në këtë kohë një kryesi e tyre kishte hyrë në sallën e Kuvendit.
Por komunizmi ishte në qendër të debatit edhe për diskutimin e ligjit për pronat. Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e PS-së, Arta Dade i bëri thirrje kolegëve të saj të majtë dhe të djathë të mos e votojnë projektligjin pasi ai bie ndesh me 12 prioritet e KE. Duhet një plan veprimi për të drejtat e pronësisë me grupet e interesit, kjo nismë duhet të përfshijë proceset e kthimit dhe legalizimit. Ky ligj mbetet i bllokuar nga qeveria. Sali Berisha nuk ka pasur vullnet për ti dhënë zgjidhje çështjes së të drejtës së pronës. Nuk është përfunduar strategjia për pronën. Çështje si taksa për pronën mbeten pa u ndryshuar. Qeveria nuk ka nxjerrë një axhendë lidhur me të drejtat e pronës. Abuzim tjetër me pronën është ulja e truallit. Ky ligj do favorizojë klientët e mazhorancës, deklaroi Dade.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi si replikë deklaroi se mazhoranca po zhbën me ligjin e pronës gjëmën që bëri komunizmi, ndërkohë akuzoi opozitën se në 8 vite uzurpoi regjistrimin e pronave si dhe abuzoi me fondet.
Ne morëm përsipër të zhbënim atë gjëmë të madhe që familja juaj politike i bëri pronarëve. Brenda mandatit të parë kemi nxjerrë një sërë aktesh. Nga 65 mijë kërkesa që janë regjistruar në komisionin e kthimit të pronave kanë dhënë përgjigje gjithë kërkesave brenda 21 vjetëve, 92 % e kërkesave kanë marrë përgjigje. Gjatë 8 viteve të PS janë dhënë 10 mijë vendime. Kur e kthyet agjencinë e pronave në Kuvend ndodhi korrupsioni dhe ish kryetarët të kthimit të pronave kanë shkuar në Prokurori, theksoi Halimi.
