E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, rezolutë kundër zgjedhjeve serbe

PRISHTINE- Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro miratimit të një rezolutë, me të cilën kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve të paralajmëruara serbe ne 6 maj edhe në territorin e Kosovës. Për të votuan të gjithë deputetët e pranishëm, 75 nga 120, sa ka Kuvendi. Tani po diskutohet përmbajtja e saj, ndërsa u paralajmërua se për tekstin e Rezolutës do të votohet në seancën e pasditës.

Paraprakisht, pas një debati të ashpër në mes deputetit Ismet Beiqiri me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, deputetët e LDK -së braktisën mbledhjen. Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, kërkoi sqarime plotësuese nga kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, për dialogun me Serbinë. Por, kur Tahiri  refuzoi, LDK doli nga salla.

Për rezolutë  para mbledhjes ishin marrë vesh të gjitha grupet parlamentare, përveç grupit të Vetëvendosjes, e cila kishte vërejtje e kërkesa plotësuese. Ajo  shfaqi rezervat ndaj përmbajtjes jo përkatëse të saj. Po ashtu Vetëvendosje tha se në konsultimin e mëpastajmë rreth rezolutës ky grup parlamentar nuk ishte ftuar fare.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe një herë ka përsëritur se nuk do të lejohet organizmi i zgjedhjeve të asnjë shteti tjetër brenda territorit të Kosovës. Sipas tij, për këtë ekziston një qëndrim unik i institucioneve shtetërore të Kosovës. Kurse, sa i përket pjesës veriore, Thaçi ka thënë se për këtë pjesë të vendit nuk do të bisedohet asnjëherë me Serbinë. Një dialog i mundshëm për pjesën veriore nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë, ka deklaruar kryeministri Thaçi. (Koha)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›