E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension dhe trazira në Iran

Kryeqyteti iranian, megjithë tensionet, dukej më i qetë sot, në kontrast me trazirat qe vazhduan për ditë me radhë që pas zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit.

Përkrahësit e rivalit të presidentit Ahmadinexhad, Mir Hosein Musavi, kanë bërë thirrje për qëndrese të heshtur. Ndërkohë radioja shtetërore iraniane njoftoi sot se të shtunën e kaluar u arrestuan të paktën 475 vetë, për pjesëmarrje në demonstrata me dhunë, që çuan në vdekjen e 10 vetëve. Ndërkaq numri zyrtar i të vrarëve ka arritur në 17 vetë. Media iraniane njoftoi ndërkaq se Këshilli i Gardianëve në Iran ka thënë se janë vërejtur parregullsi në një numër qytetesh.

Zëdhënësi i Këshillit tha se numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në votime në 50 qytete e tejkalon numrin e personave me të drejtë vote dhe mbi 3 milione votues mund të jenë në pikëpyetje.
 

Ministria e jashtme iraniane akuzoi sot mediat e huaja dhe qeveritë perendimore se po përhapin anarki dhe vandalizëm në përpjekje për të minuar qeverinë e Iranit.

"Irani ka një kapacitet të lartë demokratik për të zgjidhur situatat e brendshme. Përhapja e anarkisë dhe vandalizmit nga fuqitë dhe mediat perendimore nuk është aspak e pranueshme nga ne", tha zëdhënësi Hasan Kashkavi.

Qytetet iraniane ishin skenë e protestave masive javën e kaluar me të paktën 10 të vdekur të shtunën.

Vrasje e çuan numrin e viktimave në të patën 17 pas një jave demonstratash nga protestuesit që thonë se presidenti Mahmoud Ahmadinejad i fitoi zgjedhjet përmes manipulimeve.

Por imazhet dhe dëshmitë e vendosura në internet çojnë në përfundimin se numri i viktimave mund të jetë më i lartë.

Udhëheqësi i opozitës iraniane Mir Hosein Mousavi premtoi mbrëmë të vazhdojë presionin në një sfidë ndaj urdhërit të udhëheqësit suprem të vendit, por nuk ishte e qartë sot nëse protestuesit do të guxojnë të vazhdojnë demonstratat masive pas shtypjes së përgjakshme nga sigurimi gjatë fundjavës.

Përmes faqjes elektronike zoti Mousavi u bënë thirrje përkrahësve të ndezin dritat e makinave në shenjë proteste, një rezistencë e heshtur krahasuar me grumbullimet masive kohët e fundit.

Kjo lëvizje vjen pasi forca më e fuqishme e sigurisë në Iran kërcënoi sot të shtypë protestat e mëtejshme të opozitës, duke i paralajmëruar demonstruesit të përgatiten për një konfrontim revolucionar nëse dalin përsëri në rrugë.

Policia tha se 457 vetë u arrestuan sot, pa një shifër të saktë për arrestimet e bëra gjatë javës së trazirave.

Gazetarëve të mediave të huaja u janë vënë kufizime të rrepta dhe vlerësimi i situatës është i vështirë.

Irani është temë veçanërisht delikate për agjencitë e huaja të lajmeve që transmetojnë në gjuhën farsi.

"Këto kanale kanë krijuar një fushatë psikologjike lufte. Zyrtarët e BBC-së dhe Zërit të Amerikës në gjuhën perse janë pasues të besimit Bahai. Identiteti i tyre është i qartë, ata janë pasuesit e Netanjahut dhe Liebermanit", tha zëdhënësi.

Shumë faqe të internetit janë bllokuar.

Ndërkohë Këshilli i Gardianëve që ra dakort javën e kaluar të hetojë ankesat për votimet, tha sot se janë gjetur parregullsi në 50 qendra por kjo nuk ndikon në fitoren e Ahmadinexhadit.

Protestues me pankarta dhe veshur me ngjyrë të gjelbërt në mbështetje të udhëheqësit të opozitës Mir Hosein Mousavi zgjuan dje shëtitoren Pensilvania këtu në Uashington. Dhjetra protestues u mblodhën dje para Shtëpisë së Bardhë për të treguar mbështetjen e tyre për demonstratat në Teheran. Presidenti Barak Obama i ka ashpërsuar ndërkohë përgjigjet e tij, ndërsa përpiqet të mos i japë udhëheqjes teokratike iraniane mundësinë për të fajësuar Shtetet e Bashkuara për trazirat. //rd//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›