U prish pazarin e drogës,merret peng lazaratasi
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Merret peng për 24 orë një i ri nga Lazarati. Motivi i pengmarrjes dyshohet se ka qenë prishja e pazarit të tregtimit të drogës nga pengmarrësit dhe pengu. Gjithçka është mbajtur në konspiracion të plotë, deri sa dje pengu lazaratas lajmëroi policinë t’i vinte në ndihmë duke e orientuar me vendndodhjen ku gjendej. Kjo ka ndodhur fill pasi pengmarrësit e braktisën lazaratasin kur e panë se nuk kishin se çfarë të kërkonin më nga “viktima”. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Gjirokastrës, 27-vjeçari nga fshati Lazarat ka marrë policinë në telefon në orën 13:00 të së dielës duke shpjeguar se ishte marrë peng nga disa persona dhe ndodhej në fshatin Luftinjë të Tepelenës, rreth 10 km larg. Fill pas marrjes së telefonatës, forca të shumta policie të Komisariatit të Tepelenës dhe Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, kanë shkuar në fshatin Luftinjë. Sipas dëshmisë së dhënë nga i riu me inicialet S.C., ai është marrë peng mbrëmjen e të shtunës nga Kastriot Dida, Pëllumb Çaushaj dhe Sali Vila. Të tre e kanë gjetur lazaratasin në Gjirokastër dhe duke ushtruar forcë arritën ta fusnin në automjetin që do të shërbente për transportimin e tij në destinacionin final në fshatin Luftinjë. Automjeti tip “Mitsubishi” me targa TR 0609 F në pronësi të Kastriot Didës është sekuestruar nga ana e policisë në cilësinë e provës materiale për këtë vepër penale menjëherë sapo gjetën pengun. Burime tepër të sigurta nga Policia e Tepelenës, kanë pohuar për gazetën “Panorama” se motivet e kësaj ngjarje mendohet se kanë qenë prishja e pazareve në trafikun e lëndëve narkotike mes autorëve të pengmarrjes dhe të dëmtuarit. Nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, është ndaluar menjëherë shtetasi Sali Vila 29 vjeç nga fshati Cepunë i Gjirokastrës. Mbi të rëndon vepra penale e heqjes së paligjshme të lirisë së kryer në bashkëpunim. Ndërkaq Policia nuk është mjaftuar me kaq, por ka arrestuar edhe vetë pengun nga Lazarati për moskallëzim të krimit, pasi ka dhënë dëshmi të ndryshme për autorët e ngjarjes. Për S.C. ky është rasti i dytë që përballet me ligjin, pasi kohë më parë ai ka qenë i dënuar nga organet e drejtësisë për vjedhje me armë. Ndërkaq dy pengmarrësit e tjerë, Kastriot Dida, i cili dyshohet se është autori kryesor i pengmarrjes dhe kunati i tij Pëllumb Caushaj, të dy nga Tepelena, janë larguar në drejtim të paditur.