E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, takohet me banorë të Selenicës

“Gjatë qeverisjes së PD-së, Selenica 10 herë më shumë investime krahasuar me PS-në”

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, njëkohësisht kandidat për deputet i kësaj force politike për Qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, zhvilloi një takim elektoral me banorë të qytetit të Selenicës, 30 km në verilindje të Vlorës, ku u ndal në investimet e realizuara gjatë katër viteve të fundit në këtë njësi të qeverisjes vendore. Gjatë fjalës së tij Patozi theksoi se “Gjatë katër viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike, në qytetin tuaj janë realizuar investime me një vlerë prej më shumë se 200 milionë lekë, ose 10 herë më tepër se në periudhën e qeverisjes socialiste”, tha Patozi. Duke folur për një sërë investimesh të bëra në këtë zonë, Patozi tha se “gjatë këtyre katër viteve janë zgjidhur problemet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike për të gjithë banorët, përfundoi rruga që lidh Selenicën me Vlorën, është përmirësuar ndjeshëm infrastruktura rrugore  brenda qytetit, janë rindërtuar godinat e shkollës së mesme dhe asaj 9 vjeçare, të kopshtit të fëmijëve”. 

Duke folur për prioritetet e mandatit të ardhshëm, Patozi theksoi se “në vazhdimësi do të mbështeten të gjitha projektet e bashkisë për investime dhe qyteti do të lidhet me rrugë të reja me të gjitha fshatrat e zonës”. 

Duke sulmuar kundërshtarin e tij politik në zgjedhjet e 28 qershorit, Patozi u shpreh i sigurt se “Në 28 Qershor, banorët e Selenicës do të refuzojnë modelin e Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës, do të bashkohen me alternativën e vazhdimit të ndryshimit, duke shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet e 28 Qershorit”, nënvizoi Patozi. 

Kryetari i bashkisë së Selenicës, Ilia Seferi, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në këtë takim, u bëri thirrje bashkëqytetarëve, “të mbështesin dhe të votojnë për Partinë Demokratike, si alternativa më e mirë për të qeverisur vendin, gjë që e tregoi edhe në katër vitet e fundit, kur qyteti u transformua”. 

Bashkia e Selenicës ka rreth 8500 mijë banorë. Aktiviteti kryesor i këtij qyteti është miniera e bitumit, ku punojnë rreth 200 punonjës. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›