E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista/ Flet kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës, Gëzim Dibra

“Qeverisja e suksesshme 4-vjeçare, do t’i sigurojë PD-së fitore të thellë në zgjedhjet e 28 qershorit”

Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës, Gëzim Dibra, e sheh kandidimin e tij nën siglën e PD-së, me atë të përmbushjes së një dëshire të çdo shqiptari, atë të Shqipërisë demokratike, dhe dëshirën për t`u shkëputur njëherë e mirë nga komunizmi. Dibra shprehet se këtë gjë ka arritur ta bëjë më mirë vetëm Partia Demokratike, me gjithë ndryshimet e mëdha që ka sjellë gjatë qeverisjes së saj, me zbatimin e të gjitha reformave të qenësishme, duke i hapur kështu rrugë realizimit të standardeve që afrojnë vendin tonë me vendet e Bashkimit Evropian. Për Dibrën pika më e fortë që mazhoranca ka, për të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit, dhe që do të ripërsërisin fitoren e korrikut 2005, është qeverisja e suksesshme përgjatë 4 viteve të qeverisjes së saj. Në këtë pikë kandidati Dibra, e argumenton qeverisjen e suksesshme të demokratëve, me nivelin e lartë të zbatimin e të gjitha reformave, siç janë lufta kundër korrupsionit, reforma në ekonomi, reforma në arsim, në mjekësi, në energjetikë, në shërbimet sociale, duke përmbushur kështu me efikasitet reformat e kërkuara nga faktori ndërkombëtar. 

Duke folur për problematikat e qarkut të Shkodrës, kandidati Dibra shpreh gjykimin se ky qytet e ka superuar tashmë këtë fazë, dhe po punohet për përfundimin e projekteve të filluara, të cilat janë të shumta dhe që kanë të bëjnë me përmirësimit e infrastrukturës. Duke e konsideruar Shkodrën si një bastion të djathtë, kandidati Dibra parashikon se PD-ja do të marrë 9 deputetë në këtë qark. 

I pyetur mbi programin e kundërshtarëve politikë, atë të Partisë Socialiste, Kandidati demokrat për qarkun e Shkodrës, Gëzim Dibra, vlerëson se socialistët deri më sot nuk kanë paraqitur asgjë që të quhet program qeverisës, vetëm fjalë boshe, dhe strategji të krijimit të grupeve që luftojnë njëri-tjetrin për pushtet, pa menduar për atë që duhet t’i ofrojnë elektoratit.

Çfarë ju lidh me PD-në dhe si erdhi kandidimi juaj për në zgjedhjet e 28 Qershorit?

Arsyet që më lidhin me PD-në janë të shumta, por ajo më esencialja ishte dëshira për një Shqipëri Demokratike, dëshira për tu ndarë një herë e mirë nga shoqëria komuniste dhe mundësia për realizimin e këtyre aspiratave u paraqit me krijimin e PD-së në fillimet e viteve 90-të. Më vonë u krijuan me dhjetëra parti të tjera, por ndryshimi i PD-së me ato ishte i madh, dhe më pëlqen të citoj një thënie të shkencëtarit më të madh të të gjitha kohërave Charles Darwin i cili thotë, “Nga të gjitha speciet, nuk janë ato më të fortat ose më inteligjentet që mbijetojnë, por ato që reagojnë më shpejt ndaj ndryshimeve”. Dhe këtë gjë PD-ja e ka bërë më së miri që në krijimin e saj në atë periudhë te ndryshimeve të mëdha që kishin përfshirë gjithë Evropën. E ka bërë më së miri në zbatimin e të gjitha pikave të programit të saj dhe me një prioritet të veçantë të politikës ekonomike. E ka bërë më së miri në zbatimin e të gjitha reformave politike, ekonomike dhe sociale duke i hapur rrugë realizimit të standardeve që afrojnë vendin tonë me vendet e Bashkimit Evropian. E ka bërë më së miri me politikat nxitëse për biznesin që krijojnë një klimë shumë të favorshme jo vetëm për zmadhimin e bizneseve ekzistuese ose krijimin e bizneseve të reja por edhe për ardhjen e investitorëve të huaj. Pra të gjithë këto argumente qe përmenda janë elementët që krijojnë lidhjen me PD-në dhe të nxisin për ta mbështetur me forcë këtë forcë politike vizionare. Edhe kandidimi im, pra përfshirja e përfaqësuesit të biznesit në listën e kandidatëve tregon qartë vlerësimin e madh që PD-ja bën për sektorin privat duke e konsideruar si hallkë kryesore e zinxhirit të ekonomisë dhe si faktori vendimtar në çuarjen përpara të reformave ekonomike dhe zhvillimit të shpejtë ekonomik. Njëkohësisht ky vlerësim i madh i kryesisë së PD-së dhe veçanërisht i Sali Berishës për mua si përfaqësues i këtij komuniteti kaq të rëndësishëm më motivon shumë që të kontribuoj sa më tepër në nxitjen dhe realizimin e projekteve, dhe prezantimin e resurseve të qytetit dhe rajonit të Shkodrës.

Cilat janë problematikat e qarkut të Shkodrës dhe çfarë premton se do të bëjë PD-ja në 4 vitet e mandatit të dytë qeverisës?

Për mendimin tim Qarku i Shkodrës e ka kaluar fazën problematike, tani po punohet për përfundimin e projekteve të filluara, projekte që i shërbejnë përmirësimit të infrastrukturës siç janë: Ura e Bunës, segmenti i dytë i unazës në zonën lindore të qytetit, përfundimi i dhjetëra rrugëve lidhëse të rrethinave, vënia në funksionim e impiantit të grumbullimit të mbeturinave, zbatimi i projektit të fizibilitetit të KFW dhe shumë projekte të tjera tashmë në fazë përfundimtare. Për sa i përket mandatit të dytë për Qarkun e Shkodrës PD-ja ka shumë projekte duke filluar nga më i rëndësishmi që është qarqeve industriale në Koplik dhe Shkodër  të cilët do të krijojnë me mijëra vende pune, përfundimi i hidrocentralit të Ashtës me një vlerë 160 milion Euro dhe i dhjetëra hidrocentraleve të tjerë me kapacitete të ndryshme në të gjithë Qarkun e Shkodrës. 

Vepra këto që përveç efektit social të krijimit të vendeve të punës, përmirësojnë ndjeshëm kapacitetin energjetik të sistemit tonë. Gjithashtu janë në projekt dhe së shpejti fillon puna për ndërtimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza, autostrada Shkodër-Hani i Hotit, rikonstruksioni i linjës hekurudhore Shkodër-Hani i Hotit, gjë që do të përmirësojë dhe do të rrisë shumë transportin e mallrave me gjithë Evropën, dhe në funksion të këtij objektivi nga specialistët e sektorit në bashkëpunim me specialistë të doganave të komunitetit Evropian po studiohet mundësia e krijimit e një stacioni ndërkombëtar doganor në zonën e Mjedës gjë që do të krijonte lehtësira të mëdha dhe fleksibilitet në qarkullimin e mallrave veçanërisht për zonën veri-lindore dhe Kosovën. Janë në përfundim projektet për urbanizimin dhe sistemimin e zonave turistike si: Shiroka, Razma, Thethi, Boga, Velipoja. Së shpejti fillon puna për sistemimin e zonës perëndimore te qytetit, buzë liqenit që është një zonë me perspektivë të madhe urbanistike. Ndërtimi i tangenciales që lidh rrugën nacionale Lezhë-Shkodër me Shkodër-Hani i Hotit. Plani rregullues i qytetit të Shkodrës. Projektet e shumta për përmirësimin e infrastrukturës në fshat, projekte këto që së bashku me politikat nxitëse për investimet në fshat, si në sektorin agro-blegtoral ashtu edhe në atë artizanal do të krijojnë një klimë shumë të favorshme për shfrytëzimin e kapaciteteve të mëdha që ka fshati.

Cilat janë pikat e forta të mazhorancës aktuale që e sjellin më pranë mundësinë e ripërtëritjes së fitores së korrikut 2005?

Këto pika janë të shumta por ato më kryesoret janë, qeverisja e suksesshme në 4 vitet që kaluan, niveli i lartë në zbatimin e të gjitha reformave siç janë lufta kundër korrupsionit, reforma në ekonomi që solli një rritje të madhe ekonomike, reforma në arsim, në mjekësi, në energjetikë, në shërbimet sociale. Zbatimi me efikasitet i reformave ishte ndër standardet kryesore që faktori ndërkombëtar me në krye SHBA-në kërkonin nga qeveria Berisha për pranimin e Shqipërisë në NATO, pranim ky që na hapi rrugën drejt pranimit në familjen e madhe evropiane. Një tjetër pikë e fortë është mbështetja shumë e madhe që të gjitha vendet Perëndimore dhe kryesisht vendi mik SHBA, po i japin qeverisë Berisha, si një qeveri me një program të qartë dhe që po ecën me shpejtësi në rrugën e zbatimit të reformave, si një qeveri që ka ditur të bëjë një politikë transparente, tolerante dhe progresiste në rajon. Dhe këtë e dëshmon më së miri edhe vizita e Presidentit Bush, president i atij vendi që për gjysmë shekulli kundërshtarët e sotshëm politik të PD-së e quajtën armiku ynë kryesor, e quajtën vend imperialist, gjakpirës i popujve, dhe aleancën e NATO-s për të cilën ne sot jemi krenar që bëjmë pjesë dhe i jemi shumë mirënjohës që shpëtoi popullin vëlla të Kosovës nga pastrimi etnik total e quanin organizatë terroriste, kolonialiste, luftënxitëse. Një tjetër pike e fortë e PD-së që e rrit shumë elektoratin e saj dhe e konsolidon fitoren është fakti që PD-ja në të gjitha reformat që ka ndërmarrë, në të gjitha projektet që ka zbatuar, në të gjitha investimet e bëra kurrë nuk ka ndjekur një politikë diferencuese ndërmjet qarqeve apo zonave siç ka bërë PS-ja për 8 vite me radhë. Nga investimet e qeverisë Berisha kanë përfituar dhe do të përfitojnë përsëri të gjithë njëlloj të djathtë dhe të majtë.

Sa deputetë parashikon të fitojë PD dhe koalicioni i saj Aleanca e Ndryshimit që Qarkun e Shkodrës që historikisht njihet si një bastion i së djathtës?

Dihet që me ligjin e ri të votimit në qarkun e Shkodrës PD ndihet e disfavorizuar kështu që është pak e vështirë të mendosh që mund të fitojë 11 deputetë, por unë mendoj që 9 duhet t’i fitojë.

Në kontrast me ofertën politike të PD, si ju duket programi i rivalëve të majtë?

Për të dhënë një gjykim në lidhje me një program të një force politike duhet që, pasi ta kesh kexuar me vëmendje të arrish të kuptosh boshtin e këtij programi. Për hir të së vërtetës deri më sot nuk kanë paraqitur asgjë që të quhet program qeverisës për të ardhmen. Por kur dëgjon, shikon dhe nuk kupton asgjë por dëgjon vetëm fjalë boshe, sharje, grindje në vetvete, kur shikon se si ndërtohen strategjitë e krijimit të grupeve që luftojnë njëri-tjetrin për pushtet pa menduar për atë që duhet t’i ofrojnë elektoratit atëherë e kupton që nuk ke përpara një program por një Big Brother ose ndryshe siç e quan populli italian Grande Bordello. Dhe është për të ardhur keq për të gjithë kandidatët e PS të cilët ndihen shumë keq kur dalin para elektoratit sepse nuk kanë çfarë ti thonë, nuk kanë çfarë t’ju paraqesin si program. Si rrjedhim gjykimi më i mirë për kundërshtarët tonë është 28 Qershori ku ata do të marrin atë vlerësim që bëri edhe Parlamenti Evropian para disa javësh për grupimin e majtë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›