E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension ndëretnik mes të rinjve në Maqedoni

Vëzhgim

Rrahje, bojkotim i mësimit, protesta - janë dukuri të shpeshta që po hasen në shkollat e mesme të Maqedonisë. Rritja e tensioneve ndëretnike në arsim është sinjal shqetësues dhe si i tillë duhet penguar urgjentisht, thonë nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike. Rezultatet e anketës së realizuar nga qendra tregojnë se mbi 70 për qind e të anketuarve vlerësojnë se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të tensionuara tej mase, thotë Vllado Dimovski, sekretar i Qendrës për Tolerancë Ndëretnike.
Mënjanimi i urrejtjes etnike te grupmoshat e reja duhet të jetë angazhim gjithëpërfshirës, sepse mostoleranca etnike nuk është dukuri e rastësishme. Ajo reflekton politikën aktuale në vend, thotë Dimovski
“Shumë më tepër duhet të punohet me popullatën e re në Maqedoni. Haptas duhet të flitet për dallimet fetare, kulturore, etnike e gjuhësore. Të rinjve duhet t'u mundësohet shoqërim që në arsimin fillor dhe të mesëm”, vlerëson Dimovski.
Ndarjet në shkolla
Në shkollën e mesme ekonomike “Arsenije Jovkov” mësojnë së bashku nxënës shqiptarë dhe maqedonas, por klasat janë të ndara. “Shkolla është e ndarë në dy pjesë. Në njërën anë ne dhe në anën tjetër maqedonasit. Ne takohemi ndonjëherë, por nuk komunikojmë, ashtu është atmosfera në shkollë, e cila nuk më lejon të komunikojë me ata nxënës”, thotë nxënësja Anila Ejupi.Edhe ekskursionet e shkollës organizohen të ndara. Nxënësja e vitit të dytë, Sadije Ibrahimi, thotë se asnjëherë nuk ka vizituar ndonjë vend së bashku me nxënësit maqedonas.
“Paralelet shqiptare parapëlqejnë të vizitojnë Kosovën, ndërsa kjo i pengon paralelet maqedonase, sepse ato kanë paragjykime për Kosovën. I kam shoqet që i njoh me vite që nga vegjëlia, por kur jemi në shkollë dhe takohemi nuk komunikojmë, nuk e di pse”, pohon ajo.
Për Marija Sedllovskën, nxënëse në paralelet maqedonase, mësimi në një shkollë të përbashkët me nxënësit shqiptarë nuk paraqet ndonjë pengesë serioze, por ajo, deri më tani, nuk ka arritur të shoqërohet me nxënës shqiptarë.
“Jo, jo nuk kam asnjë shok apo shoqe, kam shoqërinë time dhe nuk shoqërohem me shqiptarët”, thotë Marija.
Përgjegjësi i paraleleve në gjuhën shqipe në shkollën “Arsenije Jovkov”, Shaip Zendeli, thotë se situata e përgjithshme politike në vend reflektohet në shkollë, familje po edhe te nxënësit.“Mund të them se marrëdhëniet ndëretnike janë në nivel të lakmueshëm. Për këtë, meritë më të madhe kanë profesorët dhe nxënësit, sepse çdo herë angazhohemi për parandalimin e acarimit të marrëdhënieve”, pohon ai.
Projektet e përbashkëta
Ariton Rama është kryetar i Unionit të Nxënësve Shqiptarë. Ai thotë se përmes projekteve të përbashkëta me nxënësit maqedonas, tentohet të tejkalohen paragjykimet etnike në mesin e të rinjve.
“Këto marrëdhënie i kemi përmirësuar gradualisht, përmes projekteve të ndryshme. Në projektin ‘Mozaik’ kemi bashkëpunuar me nxënësit maqedonas, me qëllim eliminimin e paragjykimeve dhe stereotipave në shkollë”, shpjegon ai.
Pas konfliktit të vitit 2001, në Maqedoni janë realizuar dhe promovuar një sërë projektesh, që kanë pasur për qëllim afrimin sa më të madh të të rinjve nga grupet e ndryshme etnike, por acarimi i sërishëm i marrëdhënieve ndëretnike, është tregues se në këtë drejtim duhet të punohet edhe më shumë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›