E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në një vit, vetëm 19 vizita tek andrologu

Meshkujt në Shqipëri, të paintegruar me metodat bashkëkohore të planifikimit familjar, të painteresuar për vizita te mjeku

Meshkujt shqiptarë nuk e kanë ende të përfshirë në axhendën e tyre të vizitave mjekësore, specialistin e quajtur androlog.
Ky specialist kujdeset për problemet mashkullore, duke vizituar, trajtuar por edhe këshilluar meshkujt për probleme apo çështje të caktuara, që lidhen ngushtë me shëndetin apo planifikimin familjar në çift. Në fjalë të thjeshta, andrologu është “gjinekologu” i meshkujve. Vizitat për tek andrologu kanë ardhur duke u ulur ndjeshëm. Ende nuk është bërë një studim në Shqipëri lidhur me vizitat që kryhen nga meshkujt te ky specialist, ndryshe nga statistikat dhe të dhënat që mbahen për femrat dhe kontrollet e tyre, në specialitete të ndryshme apo të dhënat që jepen për ekzaminime gjatë një viti”.
Vizitat
Në 2009-n, sipas analizës së punës në qendrën spitalore “Koço Glozheni”, apo siç njihet ndryshe materniteti i ri, rezulton se konsultat tek andrologu gjatë një viti kanë qenë vetëm 19, ndërsa në 2008-n, numri i tyre ka qenë 117.
Vizitat tek andrologu janë ulur në masën 85 për qind krahasuar me dy vite më parë. Ndryshe nga meshkujt, vizitat dhe ndërhyrjet që kryejnë femrat, duke përfshirë edhe lindjet, janë të konsiderueshme, me vlera që i kalojnë tre zero.
Sipas statistikave të “Koço Glozhenit” rezulton se në një vit janë kryer mbi 1 mijë konsulta, mbi 800 vizita, mbi 52 analiza, rreth 2 mijë operacione.
Ndërkohë që në vendin tonë, edhe sipas studimeve të kryera nga Shëndeti Publik apo struktura shëndetësore, rezulton se ende përdoren në masë metodat tradicionale sesa ato moderne, megjithëse vlen të theksohet se ka një rritje të përdorimit të prezervativit.
Studimi
Konkretisht, studimi i fundit i shëndetit riprodhues tregoi se në Shqipëri kemi shkallë të lartë të përdorimit të metodave kontraceptive, por shkallë të ulët të përdorimit të metodave moderne, ku metoda tradicionale e tërheqjes mashkullore zë 67% të përdorimit dhe metodat moderne vetëm 8%. E njëjta situatë u paraqit edhe për burrat. 77% të burrave raportuan përdorimin e metodave kontraceptive, ku 3% e zinte metoda moderne.
Studimi kombëtar i shëndetit riprodhues në Shqipëri më 2002-shin i realizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, me mbështetjen teknike dhe financiare të USAID, UNFPA, UNICEF bëri një analizë të plotë krahasuese të indikatorëve kryesorë të planifikimit familjar. Studimi ndihmoi në vlerësimin e gjendjes dhe nevojave të planifikimit familjar për vendin.
Ai tregoi se vendi ynë ndjek modelin e vendeve të Europës Lindore/Qendrore, që paraqesin një prevalencë të lartë të përdorimit të kontraceptivëve ndër gratë e martuara.Një vit më parë, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se: “Duke filluar që nga viti 2005, shëndetësia ka nisur kontributin e saj financiar për blerjen e një pjese të nevojave vjetore në sektorin publik për kontraceptivë me fondet e buxhetit të shtetit dhe do të arrijë pavarësinë e plotë financiare në vitin 2010, ku të gjithë kontraceptivët e nevojshëm për shërbimet tona shëndetësore do të blihen me buxhetin e shtetit”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›