Besëlidhja e mund thellë dhe lë me pasoja Elbasanin
Besëlidhja – Elbasani 4-0
Besëlidhja: Xhika, Peqini, Stojkoviç, (Shyti 57) Kepi, Gruda, Pepaj, Jaçaj (Mehja 62), Trajkoviç, Gavriloviç (Malasi 51), Miliç, Dibra. Trajner: R. Kulli
Elbasani: Toçi, Bello, Kacollja, Sekseri, Kaçuli, Merxha, M. Toçi, Hila (Halilaj 58), Gava, Dalipi, Galica (Olatunji 73). Trajner: I. Filja
Shënues: Stojkoviç 5, Kacollja( autogol 16), Gruda 21 (11-metërsh), Malasi 89
Gjygjtarë B. Breshanaj, A. Pregja, D. Agaraj (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Gavrilovic, Miliç, Kepi \ Kacollja, Gava
Kartonë të kuq: Kaçuli, Gava
Ndeshja Besëlidhja – Elbasani kishte ditë që kishte nisur në shtypin sportiv, pasi drejtuesit e të dy ekipeve janë shprehur për fitore të sigurt. Dhe deklerata të tilla janë mëse normale, pasi çdo futbollist, trajner e drejtues futbolli futet në lojë për të fituar. Fusha e lojës i ka dhënë të drejtë presidentit Gjokë Noka. Besëlidhja e ka filluar në mënyrën më të mirë ndeshjen kur në minutën e 5-të ka shënuar me anë të qendermbrojtësit Stojkoviç. Goli e ka ndezur dhe zbukuruar lojen për të dy palët, pasi sulmojnë e kundersulmojnë të dy ekipet. Lezhjanët shfaqen më rrezikshëm tek porta e Toçit dhe në të 16, Jaçaj fut një top në zonë dhe Kacollja në përpjekje për ta larguar e godet me kokë duke shënuar autogol. Kështu Besëlidhja për 15 minuta lojë kalon në avantazh me dy gola. Pas katër minutash është Miliç, që ka depërtuar në zonë, por pengohet nga Kacollja dhe Breshani jep penallti, të cilën, me një goditje të fortë dhe të saktë, Gruda e kthen në gol, 3-0. Pas golit, miqtë irritohen dhe Kaçuli godet një lojtar vendas në menyrë brutale dhe, Breshani, me të drejtë, e largon nga fusha me të kuqe. Nga kjo minutë elbasanasit do të luajnë me 10 futbollistë. Por miqtë, megjithëse në disavantazh me gola dhe me një futbollist më pak, nuk pajtohen me rezultatinn por lëshohet në gjysmëfushën lezhjane në kërkim të golit. Madje Dalipi në minutën e 44-t ka mundësi ta shkurtojnë diferencën e golave, por humbet një rast të pastër dhe me portën e boshatisur e perplas topin në traversë, pasi kishte shmangur edhe Xhikën.
Miqtë me 9 vetë Dy minuta pa mbaruar pjesa e parë, Gava godet me bërryl kundershtarin dhe gjyqtari e dërgon në dhomat e zhveshjes me karton të kuq. Elbasani do ta fillojë pjesen e dytë me 9 futbollistë. Pjesa e dytë ka filluar e qetë, vendasit qarkullojnë topin për të administruar fitoren e thellë, ndërsa miqtë mbrohen mirë, por edhe përpiqen të kundërsulmojnë. Çdo përpjekje dështon qysh në nisje, pasi elbasanasve u mungojnë forcat për të shkuar tek porta kundërshtare. Në këto kushte, Besëlidhja, qetë – qetë po e mbyll lojen me një supermaci golash, lojtarësh dhe me qarkullimin e topit. Loja sikur përgjumet, por Malasi e ndez përseri në minuten e 89-të, kur nga distanca, me një goditje të saktë, e dërgon topin për herë të katërt në rrjetën e Toçit. Kështu Besëlidhja fiton bindshëm me një rezultat të thellë që mund të ishte edhe më i thellë, ndërsa Elbasani merr një goditje të rëndë, jo vetem katër gola, por edhe dy kartonë të kuq, që do ti kushtojnë shumë në ndeshjet e ardhshme.
Trajnerët
Ritvan Kulli, trajner i Besëlidhjes: Ishte një fitore e thellë dhe e merituar. Ne e komanduam lojën qysh nga fillimi dhe për 25 minuta shënuam 3 gola, kur në fushë ishim në kushte të barabarta lojtarësh, pastaj administruam me kujdes rezultatin. U kënaqëm me tri pikët ne dhe tifozët e shumtë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi ndeshje të tjera na presin, ndaj duhet vazhdimsi e përqendrim.
Ilirjan Filja, trajneri i Elbasanit: Erdhem në Lezhë për rezultat pozitiv. Fitoren ia dhuruam vetë Besëlidhjes me ndihmën e disa të tjerëve.