E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa merr fitoren e parë, por nuk bind përsëri si pretendente

Besa Kukësi          2-0

Besa: Bakaj, Hoxha (Ndoni 46), Fejzullai, Tragaj, Krasniqi, Mihani, Duka, Poçi, Rroshi.

(Çelhaka 77), Hasa (Bubeqi 44), Dushku. Trajner: G. Magani.

Kukësi: Koçi, Rexhepi, Rënxa, Pashaj (Berberi 75), Lila, Mziu, Jevdjeviç, Thana, Xhetani (E.Kola 61), M.Kola (E.Koçi 49),Ivanaj. Trajner: Sh. Berberi.

Shënues: Dushku 6, Mihani 76

Gjyqtarë: L. Jemini, D. Myftaraj, N. Bregasi (Tiranë).

Kartonë të verdhë: Rënxa, Xhetani, Thana, Pashaj, Tragaj, Mihani, Mziu, Çelhaka.

Besa merr fitoren e parë në javën e 3-të të kampionatit, duke mundur 2-0 Kukësin debutues, por e vërteta është se kavajasit përsëri nuk janë shfaqur si një ekip pretendent. Në një moment u duk se do të përsëritej historia e ndeshjes me Gramozin, ku Besa kaloi në avantazh dhe më pas e pësoi. Këtë e tha menjëherë pas ndeshjes edhe trajneri Gugash Magani, i cili është pajtuar vetëm me fitoren dhe jo me lojën e të tijve. Në fakt, ndeshja nisi si fotokopje e asaj me Gramozin. Sulmuesi Daniel Rroshi shmang dy mbrojtës miq dhe hyn në zonë duke pasuar për Dushkun, që e ka të lehtë ta shtyjë topin në rrjetë. Pas avantazhit Besa shfaqet e turbullt, pa qartësi në lojë, madje janë kuksianët që rrezikojnë dhe pretendojnë për një 11-metërsh. Pra, kavajasit nuk arrijnë të bëjnë diferencën në fushë dhe në pjesën e parë janë të pafuqishëm. Ata luajnë pa ide dhe u japin mundësi miqve të zotërojnë mesfushën. Gabime të njëpasnjëshme edhe në pasimet elementare, sa që nuk ndërtohej një kasion i mirëfilltë. E njëjta lojë edhe në pjesën e dytë, megjithëse Besa arrin të krijojë epërsi, sigurisht pas dushit që presidenti Bizhdili u ka dhënë të tijve në pushim. Edhe futja e Bubeqit në lojë nuk e ndihmon Besën të ngrihet në nivelin e duhur. Trajneri Gugash Magani, mjaft i nervozuar, shpesh del nga stoli për të udhëzuar ekipin, madje edhe me të bërtitura, duke parë gabimet e shumta. Do të duhej një mrekulli e Meglid Mihanit, që nga rreth 40 metra ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi dhe topi përfundon në trekëndësh. Eshtë ky gol që qetëson trajnerin Gugash Magani dhe që hipotekon fitoren e parë të Besës, edhe pse pa shkëlqimin e duhur në lojë. Duhet vlerësuar loja e sulmuesit Rroshi, i vetmi shqetësim real për Kukësin, ndërkohë që mirë është paraqitur edhe Bazian Tragaj, që ka luajtur në të dy krahët e mbrojtjes. Pa dyshim që ndikoi mungesa e Paulin Dhëmbit, sepse kjo Besë ka nevojë për një lojtar me shumë përvojë si ai. Besa nuk po bind, por trajneri Magani beson se duhej kjo fitore, më shumë për anën psikologjike dhe që pritet të pasohet nga të tjera në vazhdim. Ndeshja e radhës është në Mamurras, ku synohet fitorja.

Trajnerët

Gugash Magani, trajneri i Besës: Përsëri nuk jam i kënqur nga loja dhe druhesha se mos përsëritej ndeshja me Gramozin. Vetëm goli i Mihanit më qetësoi. Pavarësisht dobësive që erdhën edhe prej lodhjes, fitorja do na vlejë mjaft në aspektin psikologjik. Besa nuk duhet të gabojë më.

Shahin Berberi, trajneri i Kukësit: E nisëm keq ndeshjen, duke pësuar një gol, për të cilin kam dyshime. Ishte edhe një 11-metërsh, që gjyqtari nuk na e dha. I uroj Besës fat, ndërsa ne do të shohim dobësitë tona.

Të veçanta

Takimin e ndoqën presidenti Bizhdili, përkrah miqve nga Kukësi, presidentit Ramë Geci dhe kryebashkiakut Hasan Halili.

Të pranishëm ishin më shumë se 300 tifozë të Kukësit, krytesisht banorë rreth Tiranës e Kavajës.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›