E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension në Kuvend, Babasi fyen Daden

Ndërpriten punimet e Kuvendit. PD-ja nuk mbledh byronë e Kuvendit

TIRANË- Seanca e djeshme parlamentare përfundoi sërish në sharje dhe ofendime mes deputetëve. Deputetja socialiste, Arta Dade, është përballur dje me ofendimet jo të hijshme të bëra nga deputeti demokrat, Ndriçim Babasi. Ishte ky akt jo moral nga ana e deputetit demokrat që bëri që opozita të linte sallën e Kuvendit në shenjë proteste ndaj këtij veprimi, të cilin e cilësuan si një fyerje të rëndë dhe gjithashtu sulm ndaj një deputeteje grua. Debatet në sallë dje ishin nga më të ndryshmet, duke filluar nga ngjarja e fundit e ndodhur në Gjirokastër dhe masat e nevojshme që duhet të ndërmerreshin në këtë rast, e deri tek raporti i fundit i Komisionit Evropian. Pikërisht për këtë të fundit ka folur dje edhe deputeti demokrat, Ndriçim Babasi, i cili gjatë fjalës së mbajtur, po ngatërronte edhe disa terma të organizmave evropianë, duke sjellë reagimin nga vendi të deputetes së PS-së, Arta Dade. Pikërisht për këtë arsye, deputeti Babasi, nuk kurseu fjalët fyese ndaj saj. Ky veprim irritoi të gjithë deputetet socialistë, të cilët lanë sallën e Kuvendit dhe kërkuan nga kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, që të dënonte këtë veprim. Pas pesë minutave pushim, deputeti i PD-së Babasi, kërkoi ndjesë publike, por kjo në fakt nuk ka mjaftuar për grupin parlamentar të PS-së, të cilët kërkuan mbledhjen e byrosë parlamentare për të penalizuar deputetin demokrat për veprimin e tij të përsëritur, kërkesë e cila nuk është marrë parasysh. Pikërisht për këtë arsye, grupi parlamentar i PS-së, braktisi seancën, duke i paraqitur njëkohësisht në mënyrë zyrtare nëpërmjet një shkrese kryetares së Kuvendit kërkesën për mbledhjen e Byrosë dhe marrjen e masës ndaj Babasit. Pavarësisht largimit të opozitës, mazhoranca ka vijuar seancën me pikën e tretë të rendit të ditës për diskutimin dhe miratimin e projektligjit për përcaktimin e poligoneve të demontimit të municioneve. Por mungesa e kuorumit të votave ka detyruar kryetaren e Kuvendit që ta ndërpresë përfundimisht seancën, duke ia lënë sallën të gjithën deputetëve grevistë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›