Tenderat e bashkisë, gjobë të akuzuarve
Kavajë- Dënim me gjobë ka vendosur gjykata e Kavajës për 5 punonjës të Komisionit të Tenderave dhe një përfaqësuesi të një firme ndërtimi nga Peqini, i cili akuzohej për falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Sipas këtij vendimi të pandehurit Edmond Arkaxhiu, Helidon Plaku, Emine Vërria, Kostandin Filja dhe Suzana Arkaxhiu u shpallën fajtorë për veprën penale të shkeljes së barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera dhe ankande publike. Për dëmin që i kanë shkaktuar shoqërisë që bëri denoncimin në dhjetor të vitit të kaluar, personat e mësipër, të cilët janë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave në bashkinë e Kavajës, u dënuan me nga 200 mijë lekë gjobë Edmond Arkaxhiu dhe Helidon Plaku, kurse tre të tjerët, Suzana Arkaxhiu, Konstadin Filja dhe Emine Vërria me nga 140 mijë lekë gjobë secili.
I pandehuri Emiljano Daismaili, i cili u akuzua për falsifikim të dokumenteve në këtë proces u dënua me 18 muaj liri me kusht. Disa ditë më parë në diskutimin përfundimtar, prokurori i kësaj çështje Dritan Nushi kërkoi që pesë të pandehurit e komisionit të tenderit të dënohen me gjobë nga 200-500 mijë lekë si dhe heqje e të drejtës publike për ushtrimin e aktivitetit në administratën shtetërore dhe publike për 5 vjet.