E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, ndjekje penale për ata që sbashkëpunojnë

KQZ-së i lihet detyra të marrë në shqyrtim çdo pakënaqësi që shprehet në mënyrë zyrtare për rezultatet zgjedhore

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përveçse duhet të merret me administrimin e procesit zgjedhor, i lihet detyra të marrë në shqyrtim çdo pakënaqësi që shprehet në mënyrë zyrtare për rezultatet zgjedhore. Në bazë të ndryshimeve të miratuara dje në komisionin e reformës zgjedhore, çdo subjekt apo kandidat ka të drejtën të ankohet në KQZ, kundër vendimeve të KZAZ-ve (Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve), që cenojnë interesat e tyre të ligjshme, brenda tri ditëve nga data e shpalljes së rezultatit. Në shqyrtimin e kërkesave ankimore të paraqitura, KQZ-ja shqyrton të gjithë problematikën e tyre, përfshirë edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi, pa u kufizuar në objektin e kërkimit të kërkesës ankimore të paraqitur nga subjekti zgjedhor. KQZ-ja nuk mund të refuzojë për asnjë shkak regjistrimin e kërkesave ankimore, në rast se ato vijnë brenda afateve të duhura kohore, të përcaktuara qartazi në këtë projekt-kod.

Shqyrtimi administrativ

Shqyrtimi administrativ për kërkesën ankimore zgjedhore zhvillohet nga KQZ-ja në seancë plenare, ndërsa afatet për kryerjen e veprimeve hetimore administrative, caktohen nga KQZ-ja në konsultim me palët. Gjatë shqyrtimit të kërkesës ankimore mbahet procesverbal nga një punonjës i caktuar nga KQZ-ja dhe, për sa është e mundur, séanca plenare regjistrohet me zë ose me figurë. Për të gjitha çështjet që vendos t’i marrë në shqyrtim, KQZ-ja shqyrton dhe zgjidh ato në themel, pa ndërprerë seancën. Me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën. Ndërkohë, në këtë draft-kod, përcaktohen edhe detyrimet që kanë organet e tjera të administratës publike për të vënë në dispozicion të KQZ-së të gjitha dokumentacionet që ky institucion kërkon në formën e provës. Në rastet kur organi i administratës publike, pa shkaqe të ligjshme, refuzon plotësimin e kërkesës së KQZ-së, atëherë kjo e fundit ka të drejtë ta gjobisë atë ose të bëjë kallëzim penal sipas rastit, për personat përgjegjës. Në bazë të këtij projekt-kodi, KQZ-ja ka të drejtë të këqyrë dokumentacionin dhe materialin zgjedhor që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore dhe kutitë e votimit e fletët e votimit, si dhe çdo dokumentacion apo material tjetër zgjedhor. Në përfundim të shqyrtimit të provave, KQZ-ja, sipas rastit, ka të drejtë të vendosë për pushimin e shqyrtimit, lënien në fuqi të vendimit të KZAZ-së, ndryshimin e vendimit të KZAZ-së, shpall zgjedhjet të pavlefshme në një ose disa QV të njësisë zgjedhore, ose në të gjitha njësitë zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›