E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi, hapat e animimit në Kolegjin Zgjedhor

Komisioni i reformës nuk ka mundur që të miratoj propozimin për ti shqyrtuar animimet në Gjykatën e Lartë

TIRANË- Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore i ka dhënë fund dje diskutimit për draft-kodin e ri elektoral, duke miratuar me konsensus edhe kapitullin e fundit të tij që ka të bëj me ankimimin administrativ dhe atë gjyqësor. Ankimimi ashtu si edhe në kodin aktual është parashikuar që të zhvillohet në dy nivele, pra në atë administrativ, ku si institucioni që merr në shqyrtim pakënaqësitë e subjekteve apo kandidatëve është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ai gjyqësor, si hapi i fundit dhe më i larti apelues, ku do të veprojë përsëri Kolegji Zgjedhor.

Debati në komision

Ashtu siç edhe pritej palët e përfaqësuara në Komisionin e reformës Zgjedhore nuk kanë mundur të bien në konsensus në lidhje me përcaktimin e Gjykatës së Lartë si institucioni më i lartë për të marrë në shqyrtim ankesat e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë për rezultatet e procesit zgjedhor. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje pas mbledhjes, bashkëkryetari i komisionit Fatmir Xhafaj, i cili ka theksuar se palët nuk mundën të bien dakord që të sanksiononin në Kod një shkallë tjetër gjykimi nga ajo që ka ekzistuar deri më tani. Në këtë mënyrë, ka theksuar ai, komisioni u detyrua që të bie dakord që të lërë përsëri në fuqi këtë mënyrë organizimi të animimeve siç është edhe në kodin aktual, ku KQZ përbën hapin e parë të ankimimit administrativ, ndërsa Kolegji Zgjedhor hapin e dytë dhe të fundit të ankimimit gjyqësor.

Kolegji Zgjedhor

Kolegji Zgjedhor do të funksionojë ashtu si edhe deri tani pranë Gjykatës së Apelit Tiranë dhe do të përbëhet nga gjyqtarë të kësaj Gjykate. Ai do ti ushtrojë funksionet veta gjatë gjithë kohëzgjatjes së legjislaturës së kuvendit të dalë nga zgjedhjet e radhës dhe konstituimi i tij do të bëhet menjëherë pas betimit. Kolegji qëndron i mbledhur deri në përfundim të gjykimit të ankimeve ose të kalimit të afateve ta ankimit, lidhur me procesin zgjedhor të radhës. Të gjithë kandidatët dhe subjektet elektorale kanë të drejtë të ankohet në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme brenda afatit të përcaktuar në nenin 168 të këtij Kodi, pra brenda tre ditëve nga shpallja e vendimit nga KQZ. Të drejtën e ankimimit sipas këtij neni e kanë edhe individët ose partitë politike të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Ne këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe kur pranon kërkesën vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Kolegji përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga KLD dhe ku përfshihen emrat e të gjithë gjyqtarëve të të gjitha gjykatave të apelit të Republikës së Shqipërisë. Shorti për përzgjedhjen e 8 gjyqtarëvetë Kodit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë hidhet jo me vonë se pesë ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve.

Pikat

Çdo subjekt apo kandidatë ka të drejtën të ankohet në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-ve (Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve) që cenojnë interesat e tyre të ligjshme brenda tre ditëve nga data e shpalljes së rezultatit.

Në shqyrtimin e kërkesave ankimore të paraqitura, KQZ shqyrton të gjitha problematikën e tyre, përfshirë edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi.

Afatet që në këtë kre janë përcaktuar me orë llogariten duke përjashtuar orën në të cilën lind e drejta e ankimit ose detyrimi administrativ. Në rast të kundërt afati llogaritet duke filluar nga ora 8 e ditës pasardhëse.

Me kërkesë të dy anëtarëve të saj KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën.

Organet e administratës publike kanë detyrimin të vënë në dispozicion të KQZ-së të gjitha dokumentacionet që ky institucion kërkon në formën e provës.

Në rastet kur organi i administratës publike pa shkaqe të ligjshme refuzon plotësimin e kërkesës së KQZ-së atëherë kjo e fundit ta gjobisë atë ose të bëjë kallëzim penal sipas rastit personat përgjegjës.

Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë i ushtron funksionet veta gjatë gjithë kohëzgjatjes së legjislaturës së kuvendit të dalë nga zgjedhjet.

Kolegji qëndron i mbledhur deri në përfundim të gjykimit të ankimeve ose të kalimit të afateve ta ankimit, lidhur me procesin zgjedhor të radhës.

Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga KLD

Në shortin e hedhur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë përfshihen emrat e të gjithë gjyqtarëve të të gjitha gjykatave të apelit të RSH.

Shorti për përzgjedhjen e 8 gjyqtarëvetë Kodit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë hidhet jo me vonë se pesë ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›