Përplasja me armë në Elbasan, shpallet në kërkim autori
Elbasan- Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e ngjarjes së mbrëmshme në Elbasan, ku pas të shtënave me armë mbetën të plagosur dy të rinj.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Vullnetari” të këtij qyteti, kur një person qëlloi me armë në drejtim të dy të rinjve e më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e të shtënave, policia sqaron se kanë mbetur të plagosur shtetasit Erald Kofsha dhe Bruno Skora, 18-vjeç.
“I pari ka marrë plagë në shpatullën e djathtë dhe pas mjekimit të parë në spitalin e qytetit u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak për ndihmë më të specializuar, ndërkohë që 18-vjeçari u plagos në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën”- sqarojnë burimet policore.
Sipas të nëjtit burim në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja pistolete. “Autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim”- thanë burimet, por pa bërë të ditur identitetin e tij për arsye hetimore.