Tension pas ndeshjes në Napoli, Tare protagonist

Nuk është mbyllur gjithcka në qetësi në ndeshjen mes Napolit dhe Lazios, e përfunduar me rezultatin e barabartë 2-2. Ka pasur shumë tension pas përfundimit të ndeshjes që ka ardhur si pasojë e tre përjashtimeve nga loja të bëra nga gjyqtari (Blasi, Stendardo e Reja), ndërsa është kontestuar nga ana e lojtarëve dhe stafit të Lazios edhe goli i barazimit në sekondën e fundit të ndeshjes. Dhe Igli Tare nuk ka mundur të mos shfaqë temperamentin e tij prej shqiptari teksa ka qenë më i furishmi në kontestimin ndaj arbitrit të ndeshjes, aq sa është dashur ndërhyrja e trajnerit Delio Rossi për ta qetësuar.
Gjithsesi futbollisti shqiptar mund të mbetet i kënaqur me paraqitjen e tij përballë Napolit, pasi kjo është vlerësuar edhe nga gazetarët italianë që e kanë i kanë dhënë atij notën 6.5, të njejtë me sulmuesin tjetër Goran Pandev. "Gjigandi shqiptar luan si zakonisht për skuadrën. Është i tij asisti që i mundëson Pandevit të dërgojë skuadrën në avantazh", thuhet në vlerësimin për shqiptarin.