E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensione ndëretnike në Maqedoni, reagon Tirana zyrtare

Tensionet mes etnive me besime të ndryshme fetare në Strugë janë rritur duke rrezikuar sigurinë në vendin fqinj. Në fshatin Llabunishtë të Strugës, persona të panjohur i kanë vënë flakën një kishe ortodokse, duke mos arritur ta shkrumbojnë tërësisht atë falë ndërhyrjes së banorëve për shuarjen e flakëve në hapësirat brenda kishës. Qeveria shqiptare e ka dënuar djegien e Kishës, edhe pse nga persona ende të paidentifikuar. Ky akt i shëmtuar dhe disa ngjarje të tjera të kohëve të fundit, pavarësisht nga kush janë kryer dhe nga cilat motive janë shtyrë, janë të dënueshme. Ato nuk i shërbejnë frymës së bashkëjetesës multikulturore dhe multietnike të Maqedonisë. Thirrje apo veprime me karakter përçarës, diskriminues e racist që mbjellin urrejtje etnike e ndërfetare, janë të papranueshme nga vetë shoqëria e opinioni publik në Maqedoni,- u shpreh zëdhënësja e MPJ-së, Eva Kushova. Në deklaratën për mediat, Ministria e Jashtme ka kërkuar të respektohet trashëgimia kulturore e çdo vendi. Ish-kryeministri maqedonas, Vllado Buçkovski, tha se këto ngjarje mund të sjellin edhe incidente të përmasave më të mëdha. Djegia e kishave më frikëson, sepse kjo po merr edhe dimensione të përplasjeve fetare dhe nuk është problemi vetëm tek incidentet ndëretnike. Kjo është shumë e rrezikshme, tha mes të tjerash Buçkovski. Zyra e Bashkimit Europian në Shkup ka kërkuar që autoritetet maqedonase ti pastrojnë incidentet e fundit dhe ti nxjerrin fajtorët para drejtësisë. Ndonëse nuk është vërtetuar se djegia e kishës u bë nga shqiptarët, raportet mes tyre dhe maqedonasve komentohen të tensionuara, që pas një karnavali që u mbajt në komunën e Vevçanit në afërsi të Strugës, ku maqedonasit kanë fyer shqiptarët dhe librin e shenjtë islamik, Kuranin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›