E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensione në Parlamentin e Shqipërisë

Nga Express më 17 janar 2011 në ora 20:49

Tensione të ashpra janë verifikuar gjatë mbrëmjes në Parlamentin e Shqipërisë, pasi kryeministri Sali Berisha ka përdorur një sërë akuzash personale ndaj liderit të opozitës, Edi Rama.

Duke folur për videon “e montuar”, Berisha ka theksuar se atë e ka bërë një njeri që ka akuzuar babain e tij.

“Pak ditë më parë, kryetari juaj shfaqi një video. Me cakallin e tij e kishte bërë siç donte ai. Kishte montuar një pjesë që thoshte: kryeministri, direktivë për tenderin. Kam ndjerë një kënaqësi të madhe. Pse, sepse kur ta bën këtë ai që ka akuzuar të atin për baba të djalit të tij, që ka paditur të atin, Kristaq Ramën, në gjykatë dhe s’ka pranuar të bëjë analizën...”, ka deklaruar Berisha.

Të indinjuar, deputetët e opozitës janë ngritur në këmbë dhe janë drejtuar pranë postit ku ulet kryeministri. Rojet e gardës janë vendosur në radhë për të shmangur ndonjë degradim të situatës, ndërsa kryetarja Topalli ka ndërprerë seancën.

Por ndërprerja, e vlefshme vetëm për kamerat, ka zgjatur pak dhe sherret e ashpra kanë vijuar. Kryeministri ka irrituar deputetët e opozitës me fjalorin e tij dhe akuzat ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

“Ai zhveshi gruan e tij. Shkoni para selisë së PS dhe zhvishuni, që pas jush të zhvishet edhe kryetari juaj”, iu është drejtuar Berisha deputetëve.

Parlamenti i Shqipërisë ka nisur sesionin rreth orës 18.00 me tension dhe debate me objekt video-përgjimin Meta-Prifti. Kreu i Grupit Partisë Socialiste deklaroi se e vetmja alternative për kryeministrin ishte largimi i tij dhe hapja e rrugës për zgjedhjet e parakohshme.

Deri më tani janë shkëmbyer akuza të rënda mes deputetëve të partisë në pushtet dhe opozitës, duke e shtyrë kështu kryeparlamentaren Jozefina Topalli që të ndërpresë dy herë seancën./tch/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›