Tensione ne samitin e BE per krizen ne Eurozone

Liderët e BE të mbledhur në Bruksel në ditën e parë të samitit janë shfaqur të ndarë rreth hapave për ta mbajtur nën kotroll krizën e euros. Tensionet në pjesën më të madhe lidhen me Eurozonën. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shfaqur disa shenja lëshimi në kundërshimin e saj mbi mbështetjen e borxheve të vendeve të tjera.
Në një raport presidenti i KiE Herman Van Rompuy dhe presidenti i KE, Jose Manuel Barroso kanë propozuar krijimin e një thesari në eurozonë për të emetuar bono të përbashkëta në periudha afatmesme si dhe krijimin e një autoriteti të përbashkët për kontrollin e bankave dhe garantimin e depozitave.
Në hapje të punimeve të samitit, Rompuy ka bërë thirrje për një veprim emergjent ndaj krizës
“Për ti dhënë një shtysë rritjes së ekonomive tona dhe krijimit të vendeve të punës, kryesisht për të rinjtë kërkon një veprim të menjëhershëm. Rikthimi i besimit në monedhën tonë kërkon një stabilitet për të sotmen dhe një besim për të ardhmen”, u shpreh ai.
Krerët europianë në teori thonë se për të përballuar cekuilibrat në eurozonë duhet të ketë më shumë Europë, një koordinim më të madh të cështjeve financiare mes vendeve të euros. Por nuk bien dakord për mënyrat se si mund të arrihet kjo gjë.
Presidenti francez Hollande shprehet se Europa duhet të shfaq më shumë solidaritet dhe mbështetje për vendet më në vështirësi. Ndërsa Gjermania nuk dëshiron të përdorë aftësitë e saj kredituese në ndihmë të vendeve të tjera.
Spanja dhe Italia vendet e fundit të eurozonës në tregjet financiare po kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme për të përballuar kostot e larta të financimit më parë se të jenë të detyruara të dalin nga tregu i bonove. Ato kërkojnë fonde shpëtimi nga Eurozona apo edhe nga BQE dhe një ndërhyrje të menjherëshme të tyre.
Por kancelarja gjermane insiston në faktin se reformat themelore për t’i dhënë BE fuqinë e një autoriteti për të kontrolluar buxhetet kombëtare dhe politikat ekonomike duhet të vijnë përpara çdo detyrimi të mëtejshëm të përbashkët