Shqipëria në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta
Kryeministri Berisha pret deputetë të grupit të miqësisë Gjermani-Shqipëri, në Bundestag
Kryeministri Berisha priti dje, në takim, një grup deputetësh të Bundestagut gjerman, anëtarë të grupit të miqësisë Gjermani-Shqipëri, të kryesuar nga kryetari i këtij grupi, zoti Peter Weiss. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shprehu deputetëve gjermanë mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën e çmuar që Bundestagu, qeveria dhe kombi mik gjerman i kanë dhënë Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe. Projektet e financuara nga qeveria gjermane, tha Kryeministri, janë shtrirë në të gjithë vendin dhe kanë dhënë një kontribut të çmuar dhe të drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit dhe në jetën e qytetarëve shqiptarë.
Weiss e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore, duke i shprehur vlerësimin, edhe në emër të kolegëve të tij, për progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve.
Në veçanti, deputetët gjermanë vlerësuan zhvillimin e konsiderueshëm të ekonomisë së vendit, por edhe nismat ligjore që janë miratuar, të cilat i korrespondojnë standardeve europiane.
Në takim u diskutua edhe për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe. Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri, vijon të mbështesë politikat sociale, duke e rritur faturën sociale në buxhetin e shtetit në 9 për qind të GDP-së, çka ka bërë të mundur që Shqipëria të realizojë edhe rritje të rrogave e pensioneve, duke e renditur atë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.