Çelja e ambasadës do të konsolidojë marrëdhëniet mes dy vendeve
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, David Cohen
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, David Cohen, i cili shoqërohej nga Zëvendësdrejtorja e Përgjithshme për Euro-Azinë dhe Ballkanin pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, zonja Anna Azari.
Ambasadori Cohen, pasi i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit Netanyahu dhe Ministrit të Jashtëm Lieberman, i komunikoi në emër të Kryeministrit Netanyahu dhe ministrit Lieberman, vendimin e qeverisë izraelite për të shndërruar përfaqësimin e saj në Shqipëri në një ambasadë me rezidencë të përhershme në Tiranë, çka do të shënojë një hap të ri cilësor në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe nxitjen e bashkëpunimit në fushën ekonomike e tregtare, politike e të gjithanshëm, në interesin më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë lajm, si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësinë mes dy vendeve e kombeve.
Kryeministri Berisha i përcolli Kryeministrit Netanyahu dhe ministrit Lieberman falënderimet e përzemërta të qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë dhe urimet më të mira për sukses në mision e rëndësishëm të ambasadës, tashmë rezidente në Tiranë, për të forcuar më tej lidhjet e shumta miqësore mes dy vendeve e kombeve dhe nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm, në dobi të interesit të të dy vendeve.