Tensionet Rusi-Ukrainë, mblidhet NATO, MPJ e Shqipërisë: Situata të zgjidhet me dialog

Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë bërë që NATO të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm me ministrat e Jashtëm. Duke qenë se edhe Shqipëria është pjesë e NATO-s e pranishme në takim ishte edhe ministrja Olta Xhaçka. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaçka bën me dije se është diskutuar për pozicionimin e forcave ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës. Ministrja e Jashtme thekson se Shqipëria mbështet zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut.
“Mirënjohje Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për mbledhjen e jashtëzakonshme të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, mbi pozicionimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe çështjet më të gjera të sigurisë evropiane. Një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi këtë kërcënim serioz për sigurinë dhe mënyrat për ta trajtuar atë. Theksova mbështetjen e Shqipërisë për dialogun me Rusinë duke qëndruar të patundur në parimet dhe angazhimet tona”, shkruan Xhaçka.