E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensionet mes dy Koreve, Ushtria gati për ndërhyrje

Vijojnë të mbeten të tensionuara marëdhëniet ndërmjet dy koreve. Ushtria e Koresë së Jugut ka deklaruar se është e gatshme t`i përgjigjet çdo provokimi nga Pheniani. Komandanti i Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut deklaroi se po i ndjek me vëmendje lëvizjet e Koresë së Veriut, pas dislokimit të një numri të konsiderueshëm të avionëve nga ana e Koresë së Veriut në afërsi të hapësirës ajrore të Koresë së Jugut në javët e fundit. Një zëdhënës i komandandit të ushtrisë koreanojugore nuk dha hollësi në lidhje me aktivitetin e forcave koreanoveriore, por njoftohet se avionët e Koresë së Veriut kanë kryer dhjetëra fluturime të përditshme, disa prej të cilave u janë afruar rajonit që njihet si Linja e Veprimit taktik.

Ky rajon ndodhet rreth 20 deri 50 kilometra në veri të hapësirës ajrore të Koresë së Jugut. Çdo avion që i afrohet kësaj pike detyron ngritjen e avionëve luftarakë të Koresë së Jugut. Burime zyrtare bëjnë me dije se asnjë prej avionëve të Koresë së Veriut nuk ka hyrë në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut. Në një fjalim të mbajtur, Presidenti Lee Myung-bak nuk iu referua drejtpërdrejt fluturimeve provokative një ditë më parë, por e këshilloi Phenianin të jetë i kujdesshëm.

Presidenti Lee tha se Koreja e Jugut ka një rrjet të padepërtueshëm të sigurisë dhe do ta mbrojë paqen në gadishullin Korean, duke iu përgjigjur çdo provokimi me një ndëshkim të ashpër. Në të njëjtën ditë, 200 kilometra në veri, kreu i ri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, doli përpara një audience me mijëra nxënës dhe mbajti fjalimin e tij të dytë publik, që kur mori pushtetin vitin e kaluar. Kim u tha fëmijëve se “duhet të bëhen revolucionarë të rinj dhe të mos kenë frikë nga vdekja” në përpjekjet për të mbrojtur partinë e punëtorëve. Por edhe pse retorikat e këtij lloji janë të zakonshme, disa analistë thonë se Pheniani tani po bën më shumë se sa vetëm fjalë. Analistët thonë se provokimet ushtarake të Koresë së Veriut mund të jenë pjesë e një procesi nga forcat ushtarake atje, për të treguar besnikërinë ndaj Kim jong un, dhe për të treguar se ai është i aftë dhe i fortë, ashtu si babai dhe gjyshi i tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›