Tentativat për trafik hashashi, policia shton postblloqet
Prej 10 nëntorit ka pasur një bum të ri bllokimesh me të paktën 500kg të ndaluar në më pak se 20 ditë
Gjirokastër- Në 10 muaj policia e Gjirokastrës kishte sekuestruar 2500 kilogramë drogë, por prej 10 nëntorit ka pasur një bum të ri bllokimesh me të paktën 500 kg të ndaluar në më pak se 20 ditë. Kjo duket se lidhet me hedhjen në treg të prodhimit të ri të kanabisit në fshatrat përreth Gjirokastrës, ndërsa policia thotë se duke konstatuar tentativa në rritje për trafik të lëndëve narkotike në drejtim të zonave të tjera të vendit apo me destinacion Greqinë, ka shtuar postblloqet dhe kontrollet në rrugët që shërbejnë për të kaluar narkotikët. “Ditët e fundit, strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë përforcuar masat me qëllim rritjen e forcës goditëse ndaj çdo veprimtarie kriminale në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës”, njofton policia.
Prej fillimit të këtij viti strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës gjatë operacioneve antidrogë kanë sekuestruar në total rreth 3 tonë lëndë narkotike. “Gjatë javëve të fundit ne kemi goditur disa raste të tentativave të transportit të lëndëve narkotike në drejtim të zonave të tjera të vendit apo me destinacion Greqinë”, thonë përfaqësuesit e policisë së Gjirokastrës. Sipas tyre, me qëllim goditjen e këtyre rasteve të trafikut të lëndëve narkotike, po zbatohet një plan i veçantë masash për forcimin akoma më shumë të rendit dhe sigurisë, në të gjithë gjatësinë e rrugëve kombëtare që lidhin Qarkun e Gjirokastrës me zonat e tjera të vendit apo pikat kufitare me Greqinë. “Prej disa ditësh në segmentet e rrugëve kombëtare Gjirokastër-Muzinë, Gjirokastër-Tepelenë dhe Gjirokastër-Përmet janë ngritur pika kontrolli të hapura si dhe pika grackë, nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe tri komisariateve në vartësi të saj”, publikojnë disa prej pikave të këtij plani masash përfaqësuesit e policisë së Gjirokastrës. B.Shehu