E Diel, 1 Nëntor 2026

Braktisi drogën në varreza, policia në kërkim të shoferit

Operacioni “Ngrica 2” ka sekuestruar 98 kg marijuanë, ndërsa ka shpallur në kërkim shoferin transportues, që sipas saj është një i ri nga Këlcyra

Përmet-Ka arritur në pesë numri i të kërkuarve brenda 24 orëve nga policia e Qarkut të Gjirokastrës, për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Pas sekuestrimit ditën e hënë të 75 kilogramëve marijuanë dhe shpalljes në kërkim të katër personave të identifikuar si transportues të saj, ditën e martë strukturat e Policisë së Shtetit, në Qarkun e Gjirokastrës, kanë sekuestruar sërish një ngarkesë me 98 kg marijuanë, si dhe kanë shpallur në kërkim shoferin e dyshuar si transportues të saj.

Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë, operacioni antidrogë i koduar “Ngrica 2” është zhvilluar në zonën e Përmetit. Për nisjen e operacionit antidrogë ka shërbyer një informacion i marrë në rrugë operative nga agjentët e antidrogës në policinë e Gjirokastrës, në lidhje me një tentativë të mundshme për trafikimin e një ngarkese me lëndë narkotike. “Sipas këtij informacioni, një automjet që udhëtonte në rrugën kombëtare Këlcyrë-Përmet, po transportonte një sasi lënde narkotike”, - thonë agjentët e antidrogës. Në minutat e para të zbatimit të operacionit “Ngrica 2”, forcat e policisë së Komisariatit të Përmetit kanë ngritur një pikë kontrolli në vendin e quajtur Kosinë, përgjatë rrugës kombëtare Përmet-Këlcyrë. Rreth orës 06:00 të mëngjesit të së martës, automjeti i dyshuar është afruar në postbllokun e ngritur nga blutë e Përmetit. “ Rreth 500 metra larg postbllokut, duket se shoferi i mjetit ka konstatuar praninë tonë dhe është kthyer mbrapsht, duke udhëtuar me shpejtësi të madhe drejt Kosinës”, pohojnë efektivat e postbllokut të policisë. Në këtë situatë, efektivat e policisë së Përmetit si dhe specialistët e antidrogës janë vendosur në ndjekje të automjetit. Madje, me qëllim ndalimin e makinës së dyshuar në fshatin Piskovë, është ngritur edhe një tjetër postbllok policie. Për t’iu shmangur ndjekjes së policisë, automjeti ka devijuar nga rruga kombëtare, duke hyrë në një rrugë dytësore që të çon në fshatin Pagar. Sipas burimeve policore, në afërsi të varrezave të fshatit Piskovë të Përmetit, shoferi ka hedhur nga makina në anën e murit të varrezave të fshatit, midis ferrave, 98 pako të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre dyshohej se kishte lëndë narkotike në formën e gjethes “kanabis sativa”.

Pasi ka hedhur sasinë e pakove nga makina automjeti ka vazhduar me shpejtësi lëvizjen në rrugën që të çon në fshatin Pagar, Piskovë. “Pasi ka udhëtuar për rreth 1 kilometër mjeti ka pësuar defekt teknik, çka e ka detyruar shoferin ta braktisë atë dhe të fshihet në pyllin që ndodhet në këtë zonë”, thonë burimet policore. Krahas krehjes dhe kontrollit të zonës për ndalimin e shoferit të mjetit, grupi hetimor ka nisur edhe mbledhjen e provave të para materiale. “Në pakot e mbështjella ishin paketuar në total rreth 98 kg marijuanë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu ne sekuestruam edhe automjetin e braktisur”, thonë burime në grupin hetimor. Gjatë hetimeve në lidhje me ngjarjen, grupi hetimor ka identifikuar edhe drejtuesin e automjetit të braktisur, i cili është një 26-vjeçar nga Këlcyra, me inicialet, V.A. Ndërkohë policia vijon punën për ndalimin e tij. Sipas grupit hetimor, 98 kilogramë marijuanë po transportoheshin me automjet në drejtim të zonës së Leskovikut, për ta trafikuar më pas nëpërmjet kufirit të gjelbër për në Greqi. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›