E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentim vrasje në veri të Mitrovicës, plagosen babë e bir

Dy meshkuj, babë e bir janë therë me thikë të enjten në një incident në pjesën veriore të Mitrovicës, kurse Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarit.

Zëvendësdrejtori rajonal i PK-së në veri, Ergin Mediq tha për mediumet serbe se incidenti ka ndodhur në orën 16 e 40 minuta dhe se me këtë rast kanë marrë plagë V. P. (45) dhe N. P. (21), kurse të arrestuarit janë Z. M. (59) dhe Z. M. (27).

Mediq saktësoi se bëhet fjalë për serbë nga Kosova, ndërsa si motiv përmendi mundësinë e raporteve të këqija familjare ndërmjet dy familjeve.

Të plagosurit gjenden në spitalin e Mitrovicës dhe ata nuk janë në gjendje rreziku për jetën.

Policia e Kosovës këtë rast e ka karakterizuar si tentim vrasje.

Në pjesën veriore të vendit ky është incidenti i dytë serioz në disa ditë të fundit. Në Leposaviq të hënën për shkak të përplasjes rreth vendosjes së një kiosku një person është vrarë, kurse edhe dy ët tjerë janë plagosur gjatë rrahjes para se të ndodhte vrasja. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›